Politika

Zbërthehet skema e patronazhimit në Fier: Berisha denoncon kontrollin e PS-së deri te emigrantët

Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar të dhëna të reja mbi atë që e quan “sistemi i patronazhimit”, duke treguar strukturën e tij në Qarkun Fier dhe mënyrën se si Partia Socialiste ka përdorur administratën publike për të kontrolluar votuesit brenda dhe jashtë vendit.

Sipas Berishës, një patronazhist nuk është një militant tradicional partie, por një nëpunës publik në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, tatime, drejtësi apo siguri. Këta zyrtarë kanë akses në databaza shtetërore dhe mund të ndikojnë në nevojat e përditshme të qytetarëve, përfshirë licenca, leje, ndihma sociale apo punësim.

“Patronazhistët nuk ishin thjesht mbështetës politikë, por u ngarkuan me bindjen, intimidimin, shantazhin dhe mbikëqyrjen e votuesve, deri në konfiskimin e kartave ID dhe kërcënime, siç raportohet në Vorë, Tiranë, Laprakë, Fier, Elbasan dhe Dibër”, tha Berisha.

Sipas tij, sistemi ka shtrirje edhe te emigrantët shqiptarë, ku qytetarët jashtë vendit u kontaktuan, u regjistruan dhe u monitoruan nga zyrtarë të lartë të administratës, ndërsa vota e tyre shpesh u kushtëzua me statusin e punës ose shërbimet për familjarët. Berisha tha se PD ka siguruar prova që vërtetojnë frikësimin dhe manipulimin e diasporës, por që ato fshihen nga Altin Troplini, kreu i mbrojtjes së krimit elektoral.

“Në krye të procesit të patronazhimit qëndron Lubi Balluku, Zv. Kryeministre famëzeze, Koordinatore Politike e PS-së në Qarkun Fier. Ndër të vijnë direkt Kryetarët e Bashkive në Qarkun Fier, Ministra, zëvendësministra, funksionarë të lartë në administratën publike. Një pjesë e tyre bënë dorëheqje fiktive nga postet e tyre, për të bërë fushatë aktive në Qarkun Fier apo në Diasporë nën urdhërat e Lubisë, ndërkohë që vijonin e drejtonin punën në drejtoritë e tyre.

Drejtuesit e drejtorive të pushtetit vendor dhe qendror si dhe të agjencive publike.

Në zgjedhjet Parlamentare 2025, Fieri u shfaq si një nga rastet tipike të kontrollit elektoral nga Partia shtet, përmes abuzimit me administratën publike dhe mbledhjes së paligjshme të të dhënave personale”, deklaroi Berisha.

Patronazhistët vepronin në të gjitha institucionet publike lokale dhe qendrore, përfshirë bashkitë, spitalet, shkollat, agjencitë rajonale dhe ndërmarrjet shtetërore. Ata mblidhnin të dhëna personale për çdo punonjës të institucioneve, përfshirë emrin, numrin e ID-së, kontaktet personale, qendrën e votimit, përkatësinë politike dhe datën e fillimit të punës. Të dhënat grumbulloheshin dhe përdoroheshin për profilizim politik dhe kontroll elektoral.

Berisha theksoi se ky sistem përbën shkelje të ligjit për nëpunësit civilë dhe Kodit Zgjedhor, duke përdorur funksionin publik për qëllime elektorale dhe duke cenuar lirinë zgjedhore, neutralitetin administrativ dhe të drejtat e qytetarëve për mbrojtjen e të dhënave personale.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts