Në ditën e shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Gjykata Speciale në Hagë ka arritur në përfundimin se Prokuroria nuk ka arritur të provojë një nga elementet e nevojshme për akuzat për krime kundër njerëzimit: ekzistencën e një sulmi të gjerë ndaj popullatës civile.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, tha gjatë leximit të vendimit se provat e paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk kanë mjaftuar për të vërtetuar këtë element.
“Lidhur me ekzistencën e një sulmi të përhapur kundër popullatës civile si kusht për krim kundër njerëzimit, Trupi gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë se ishte kryer ky sulm i përhapur gjerësisht kundër popullatës civile”, tha Smith.
Sipas trupit gjykues, një tjetër çështje lidhej me mënyrën se si ishin përzgjedhur personat që pretendohej se ishin shënjestruar nga pjesëtarë të UÇK-së.
“Ndonëse ekzistonte një politikë ose plan për personat që konsideroheshin kundërshtarë, viktimat u zgjodhën vetëm duke u bazuar në faktorin individual dhe jo bazuar në përkatësinë e tyre në një popullatë civile të shenjëstruar. Trupi gjykues nuk është i bindur se personat e shënjestruar nga anëtarët e UÇK-së në këtë çështje gjyqësore mund të konsiderohen si popullatë civile”.











