Qindra mijëra persona me kancer të avancuar të kokës dhe qafës mund të jetojnë më gjatë pa iu rikthyer sëmundja, falë një ilaçi imunoterapie, sugjeron një provë klinike.
Sipas shkencëtarëve që qëndrojnë pas kërkimit, ky është sinjali i parë i një përparimi të madh për pacientët me këtë lloj kanceri të vështirë për t’u trajtuar në 20 vitet e fundit.
Laura Marston, 45 vjeçe nga Derbyshire, thotë se është “e habitur që është ende gjallë“, pasi i ishin dhënë shanse shumë të vogla për mbijetesë pas diagnozës me kancer të avancuar të gjuhës para gjashtë vitesh.

Ajo mori imunoterapinë para dhe pas operacionit, gjë që, sipas studiuesve, ndihmon trupin të mësojë të luftojë kancerin në rast se ai rikthehet.
Kanceret e kokës dhe qafës janë të njohura për vështirësinë në trajtim dhe nuk ka pasur shumë ndryshime në mënyrën e trajtimit të pacientëve në dy dekadat e fundit.
Më shumë se gjysma e pacientëve të diagnostikuar me këto kancere të avancuara vdesin brenda pesë viteve.
Laura kishte vetëm 30% shanse për të mbijetuar pesë vite pas diagnozës së saj në vitin 2019, pasi kishte një plagë në gjuhë që nuk shërohej.
Më pas iu nënshtrua një operacioni të madh për heqjen e gjuhës dhe nyjeve limfatike në qafë, dhe më pas duhej të mësonte sërish të fliste dhe të hante.
“Isha 39 vjeç dhe e shkatërruar,” i tha ajo BBC News.
Si pjesë e një studimi ndërkombëtar për trajtime të reja kundër këtij lloj kanceri, në bashkëpunim me ekspertë nga Instituti i Kërkimeve për Kancerin në Londër, Laura ishte një nga më shumë se 350 pacientë që morën ilaçin imunoterapik pembrolizumab para dhe pas operacionit, për të nxitur mbrojtjen e trupit.
Prof. Kevin Harrington, që drejtoi provën klinike në Mbretërinë e Bashkuar, shpjegon: “Ne i japim sistemit imunitar mundësinë të shohë tumorin nga afër, për të krijuar imunitet ndaj tij, dhe pasi ai të hiqet me operacion, vazhdojmë ta forcojmë këtë reagim imunitar duke e administruar ilaçin deri në një vit.”
Një grup tjetër pacientësh me kancer të ngjashëm morën trajtimin standard që ofrohet aktualisht. Të gjithë pacientët kishin kancer të avancuar të kokës dhe qafës, por që nuk ishte përhapur në pjesë të tjera të trupit.
Qasja e re dha rezultate pozitive: ajo dyfishoi kohën mesatare kur pacientët mbeteshin pa rikthim të kancerit – nga rreth 2.5 vjet në 5 vjet.
Pas tre vitesh, pacientët që morën pembrolizumab kishin 10% më pak gjasa që kanceri t’u rikthehej në pjesë të tjera të trupit.
“Më ka rikthyer jetën”
Gjashtë vjet më pas, Laura është duke punuar me kohë të plotë dhe thotë se është “në një vend të mirë dhe po ia del shumë mirë”.
“Ka qenë diçka fenomenale për mua, sepse jam këtu, duke folur me ju. Nuk pritej të arrija deri këtu,” thotë Laura.
“Parashikimi për mua ishte i zymtë.”
Asaj iu mor muskul nga krahu i majtë dhe iu vendos në gojë për të zëvendësuar gjuhën e hequr. Ka qenë një rrugëtim i vështirë.
“Vetëm fakti që pata mundësinë të merrja këtë imunoterapi të mrekullueshme më ka rikthyer jetën.”
Studiuesit thonë se çelësi i suksesit ishte administrimi i ilaçit para operacionit, gjë që stërvit trupin të ndjekë dhe shkatërrojë kancerin nëse ai rikthehet.
Prof. Harrington thotë se imunoterapia “mund të ndryshojë botën” për këta pacientë.
“Ajo ul ndjeshëm mundësinë që kanceri të përhapet në trup – dhe në atë pikë është shumë e vështirë për t’u trajtuar,” tha ai.
Çdo vit në Mbretërinë e Bashkuar diagnostikohen rreth 12,800 raste të reja me kancer të kokës dhe qafës.
Kjo qasje funksionoi “veçanërisht mirë” për disa pacientë, por ishte “shumë inkurajuese” të shihej se trajtimi kishte përfitime për të gjithë ata që morën pjesë në provë, tha Prof. Harrington. Ai shtoi se trajtimi tani duhet të vihet në dispozicion të pacientëve përmes sistemit shëndetësor NHS.
Rezultatet e studimit po prezantohen në takimin vjetor të Shoqatës Amerikane për Onkologji Klinike (ASCO).
Prova klinike, e quajtur Keynote, përfshiu 192 spitale në 24 vende dhe u drejtua nga Shkolla Mjekësore e Universitetit të Uashingtonit në St. Louis, ndërsa u financua nga kompania farmaceutike MSD./ Përkthyer nga BBC













