Pedagogët i janë bashkuar protestës së studentëve dhe kanë paralajmëruar se do të protestojnë çdo ditë në orën 10:00, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi, deklaroi se përfshirja e botës akademike vjen pas mungesës së një përgjigjeje konkrete nga qeveria ndaj kërkesave të të rinjve. Sipas tij, mungesa e dialogut ka ndikuar në përshkallëzimin e protestave, ndërsa mënyra e ndërhyrjes së policisë ndaj demonstruesve gjatë ditëve të fundit ka ngritur shqetësime.
Kovaçi u ndal edhe te raportimet për praninë e personave me rroba civile gjatë përplasjeve, duke kërkuar verifikimin e rasteve dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.
“Brutaliteti ndaj rinisë shqiptare është i papranueshëm”, deklaroi ai, ndërsa u bëri thirrje ambasadave dhe përfaqësive ndërkombëtare që të ndjekin nga afër zhvillimet në Shqipëri.
Pedagogët kërkojnë që qeveria të marrë përgjegjësi politike dhe kanë bërë të ditur se do të vijojnë protestat. Ndërkohë, studentët dhe të rinjtë protestues refuzuan një ditë më parë ofertën e kryeministrit Rama për dialog, duke mbajtur të pandryshuar qëndrimin e tyre.













