Editorial

Koha që SPAK-u të merret seriozisht me votën e diasporës

Nga Erion Dasho

Në kohën kur demokratët dhe opozitarët kishin kaluar numrin 250 të tubimeve të përnatshme në mbështetje të liderit të burgosur, Borati dhe rilindja nisën zbatimin e programit famëkeq të patronazhimit të diasporës.

Të drejtuar nga një personazh si Taulant Balla, i akuzuar prej vitesh për lidhje me bandat dhe krimin, patronazhimi i diasporës përfshiu taktika të shumanshme.

1. BORATI SI “PATRIOT”

Shprehja “nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve” duket e shpikur enkas për Boratin. Mitingjet e këtij të fundit në Greqi, Itali dhe vende të tjera evropiane, të koreografuara dhe me një agjendë “të sheqerosur” me një patriotizëm sa të rremë, aq edhe të shpifur, shërbyen si preludi i asaj që do të pasonte.

2. PATRONAZHISTËT E DIASPORËS

Që në korrik e gusht 2024 u shfaqën patronazhistët e diasporës. Organizata “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” ka depozituar dy kallëzime në SPAK kundër bashkive të Lushnjës dhe Vermoshit. Punonjësve të këtyre bashkive u ishin shpërndarë formularë nëpërmjet të cilëve i kërkohej çdo punonjësi të identifikonte 20 miq e të afërm në emigracion.

Kjo akuzë ka qarkulluar më pas për shumë institucione të tjerë shtetërorë. Me nisjen e procesit të votimit, patronazhimi i diasporës nëpërmjet punonjësve publikë u kriminalizua edhe në tej, kur nga këta të fundit u kërkuan foto ose video që dëshmonin votimin e të afërmve në diasporë për rilindjen dhe boratët.

3. “BAMIRËSIT” E ADRESAVE

Me nisjen e procesit të regjistrimit të votuesve, u konstatua se një pjesë jo e vogël e tyre kishin probleme me gjetjen e një dokumenti që provonte adresën e banimit. Këtu u shfaqën patronazhistët “bamirës” që ofronin një dokument të tillë.

Një pjesë e votuesve u bënë me dashje bashkëpunëtorë në krim, por një pjesë naive nuk arriti të kuptojë se duke “dorëzuar” adresën, kishte deleguar praktikisht votën tek patronazhistët e diasporës.

4. TË DHËNAT, TË DHËNAT, TË DHËNAT

Tashmë ka pak dyshime se databaza e parë e patronazhistëve në Shqipëri u krijua nga të dhënat e e-Albania. Argumentin e kam edhe personal me një numër të vjetër telefoni të cilin e kam gjetur vetëm në databazën e e-Albanias dhe atë të patronazhishtit tim të cilin edhe e kam denoncuar me emër dhe mbiemër.

“Çuditërisht” drejtues për votën e diasporës në KQZ u emërua një person me lidhje aq të ngushta me rilindjen, sa që mund të përkufizohet si “patronazhist” me plot kuptimin e fjalës. Një konflikt kaq i hapur (i dyshuar) interesi duhet hetuar pa as më të voglin hezitim.

5. VOTIMI NË GRUP

I raportuar kryesisht në Itali, por ndoshta edhe në vende të tjera, pronarë biznesesh dhe punëdhënës shqiptarë, kanë detyruar stafet e tyre të votojnë në grup. Dyshimet janë se ky është një shpjegim i mundshëm për kaligrafinë e njëjtë të gjetur në një numër të madh votash.

6. SKANDALI GREK

Thasët me vota të gjetura në shumë vendndodhje në Greqi dhe rezultati thellësisht i deformuar midis votuesve të këtij shteti është një tjetër kambanë alarmi dhe tregues për dështimin e KQZ-së në menaxhimin e procesit.

***

Cilat janë disa pyetje të cilave duhet t’u përgjigjet SPAK-u, sigurisht pasi të hetojë sipas tagrit që i është dhënë?

1. Kush pagoi për mitingjet e Boratit në diasporë? Partia Socialiste apo qeveria?

2. A ka ndodhur krimi i deklarimit të votës së miqve dhe familjarëve nga ana e pjesëtarëve të administratës? A janë hetuar denoncimet e DPSHL për bashkitë e Lushnjës dhe Vermoshit?

3. A ka patur punonjës të bashkive të caktuara (p.sh. të Bashkisë Berat) për të cilët sistemi TIMS provon se kanë shkuar në Greqi gjatë periudhës kur regjistrohej diaspora?! Nëse po, a kanë marrë dieta nga bashkitë këta punonjës?

4. Pasi SPAK të administrojë databazën e regjistrimit të emigrantëve votues, a ka midis tyre grupe të mëdhenj të regjistruar në të njëjtën adresë? Sidomos në Greqi? A ka dërguar DHL sasi të dyshimta zarfesh drejt adresave të njëjta?

5. Nëse po, a kanë personat banues në to lidhje familjare ose shoqërore me punonjësit e bashkive të identifikuar nga sistemi TIMS?

6. Pasi të sekuestrohen pajisjet kompjuterike ose celularët e patronazhistëve të diasporës në Shqipëri, a ndodhen në to adresa të deklaruara, numra telefoni, etj të njëjta me ato të databazës së KQZ-së?

7. Pasi të analizohen log-et në ËhatsApp, messenger, etj., a ka patur transmetim të këtyre të dhënave tek patronazhistët e diasporës në vendet përkatëse?

8. Pasi ekspertët e kriminalistikës të kenë analizuar fletët e votimit që duken të mbushura me të njëjtin shkrim, a konstatohen raste kur një person ka votuar shumë herë?

9. Çfarë dreqin ndodhi me thasët e votave në Greqi??!!

Këto që rendita më lart janë vetëm veprimtaritë kriminale që mund të hetohen edhe sot, pasi lënë gjurmë të patjetërsueshme. Nuk kam folur për blerje të dyshuar votash, as edhe për kërcënime nga bandat e lidhura me rilindjen. As për kërcënimet indirekte me vendin e punës së familjarëve në Shqipëri.

***

Sikundër pritej, boratët e masakruan votën e diasporës dhe e delegjitimuan këtë proces jetik për demokracinë.

Është detyra e Task Forcës së SPAK-ut që megjithë dështimin për t’i parandaluar këto krime, sikundër u zotua, të paktën t’i hetojë ato dhe të vendosë autorët përpara përgjegjësisë.

Do të mjaftonin edhe vetëm këto krime për t’i shpallur zgjedhjet të jashtëligjshme dhe rivendosur drejtësinë për shqiptarët.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts