Nga Arlind Bajaj
Data 7 shtator shënon ditën e 100-të të protestës kombëtare.
100 ditë jo vetëm në bulevard, por edhe në rrugët e sheshet e kryeqytetit, e herë pas here edhe në qytete të tjera të vendit, kundër qeverisjes aktuale. Dhe, në fakt, 100 ditë janë më shumë se të mjaftueshme për të bërë një analizë të asaj çfarë ka ndodhur gjatë kësaj periudhe, por edhe të rrethanave që janë krijuar rreth kësaj proteste.
100 ditë kanë mjaftuar për të parë qartë fuqinë e qytetarëve, zemërimin dhe indinjatën e tyre ndaj kësaj qeverie. Ditët e vështira për Edi Ramën kishin nisur shumë më herët, por protesta qytetare e këtyre 100 ditëve i dha një goditje të fuqishme pushtetit të tij, duke e lëkundur atë dhe duke dëshmuar se përballë tij ekziston ende një shoqëri që nuk është dorëzuar.
Por, për të kuptuar se si mbërritëm në ditën e 100-të, duhet të kthehemi pas në kohë, pikërisht te ditët para fillimit të saj.
Data 16 maj ishte, në fakt, fillimi real i protestës së sotme, e cila më vonë u quajt edhe “Flamingo Revolution”. Gjithçka nisi me një organizim prej rreth 200-300 personash, të thirrur nga shoqata ambientaliste për të protestuar kundër një projekti që do të ndërtohej në një zonë të mbrojtur, konkretisht në zonën Pishë Poro-Zvërnec.
Kësaj thirrjeje iu përgjigjën qytetarë vlonjatë, banorë të zonës, pronarë të tokave, por edhe ambientalistë nga qytete të tjera të vendit. Të gjithë u mblodhën aty për të kundërshtuar një projekt që, sipas tyre, kërcënonte natyrën dhe territorin. Sigurisht, kësaj thirrjeje iu përgjigjëm edhe ne, një grup të deleguarish të Forumit Rinor të Partisë Demokratike të Degës Vlorë.
Por ajo që do të sillte një indinjatë të gjerë popullore ndodhi pikërisht në ditën e tretë të protestës: tërheqja zvarrë dhe dhuna ndaj një protestuesi, i cili nuk kërkonte asgjë tjetër veçse të shkonte të shihte tokën e tij, e cila papritur ishte rrethuar me gardh dhe tela me gjemba. Dhe, për më tepër, e gjithë kjo ndodhi në sy të efektivëve të policisë, të cilët nuk reaguan ndaj asaj që po ndodhte para tyre.
Ishte pikërisht kjo ngjarje që e shndërroi një protestë lokale në një revoltë shumë më të gjerë qytetare.
Indinjata bashkoi në shesh shqiptarë të bindjeve të ndryshme politike, të besimeve të ndryshme fetare dhe nga krahina të ndryshme të vendit. Sepse mesazhi, që shumë shpejt kapërceu kufijtë e një çështjeje konkrete, ishte i qartë: “Të ngrihemi kundër kësaj qeverisjeje dhe për largimin e Edi Ramës nga pushteti.”
Dhe kështu ndodhi.
Të paktë ishin ata që, që prej ditës së parë, besonin se kjo protestë do të zgjaste 100 ditë me radhë. Por një lumë njerëzish vërshoi në bulevard dhe vazhdon të dalë edhe sot. Pavarësisht një zbehjeje të kuptueshme gjatë periudhës së pushimeve verore, protesta vazhdoi të zhvillohej. Dhe njerëzit do të rikthehen përsëri në shesh. Edhe ata që kanë qenë aty vetëm një herë, por nuk janë rikthyer më, nuk mund të konsiderohen të humbur. Edhe ata janë pjesë e mbështetjes që kjo lëvizje ka krijuar dhe e pakënaqësisë që ekziston ndaj qeverisjes së Edi Ramës.
Por, teksa flasim për këtë protestë të pandërprerë, nuk mund të mos flasim edhe për disa prej gabimeve të saj.
Protestuesit kanë qëndruar ballëlartë, pa u lëkundur përballë përplasjeve me policinë dhe, sipas tyre, provokimeve të vazhdueshme. Përfshirë këtu edhe praninë e punonjësve të policisë të veshur civilë dhe të vendosur brenda turmës. Fjalimet e qytetarëve, drejtuar të gjithë shqiptarëve, kanë qenë një prej elementeve më të fuqishme të kësaj proteste. Ata kanë folur për hallet dhe problemet e tyre personale e familjare, duke sjellë në shesh realitetin e përditshëm të shqiptarëve. Ky mesazh ka mbërritur jo vetëm te qytetarët brenda Shqipërisë, por edhe te shqiptarët kudo në botë. Madje, ka bërë që edhe një pjesë e atyre që ndër vite kanë votuar të majtën shqiptare të reflektojnë mbi situatën politike në vend. Të gjitha këto janë arritje të rëndësishme të një proteste që ka marrë përmasa kombëtare.
Por, përtej masivitetit të saj, në vetë mesazhin politik të protestës ka pasur edhe probleme. Dhe këto probleme nuk kanë ardhur nga turma e qytetarëve, por nga mënyra se si është konceptuar dhe organizuar ajo. Në dukje, shqiptarë që protestojnë për të mirën e atdheut të tyre; në thelb, një kontradiktë e madhe mes atyre që flasin për revolucion dhe rrëzimin e qeverisë, ndërsa njëkohësisht kërkojnë të qëndrojnë larg politikës. Në ditët e para, ky qëndrim mund të ishte i kuptueshëm. Në atë moment, disa njerëz protestonin kundër një projekti me synimin për të mbrojtur natyrën, ndërsa të tjerë protestonin kundër qeverisë. Por sot situata është krejt tjetër.
Sot, kur vetë thelbi i protestës është kthyer në kundërshtim ndaj qeverisjes së Edi Ramës, shmangia e politikës nuk është më një zgjedhje neutrale. Është një gabim strategjik.
Pse?
Sepse politika nuk është vetëm dita e zgjedhjeve dhe as debatet politike në televizion. Absolutisht jo! Politikë është edhe vetë fakti që kjo protestë po zhvillohet kundër një qeverisjeje që nuk ndodhet në vitin e saj të parë të mandatit, por pas më shumë se një dekade në pushtet. Politikë janë të gjitha arsyet që i shtyjnë sot shqiptarët të ngrihen në protestë: e ardhmja e pasigurt, të drejtat e munguara, mundësitë e munguara, problemet e shëndetësisë, mungesa e sigurisë, pagat e ulëta, çmimet e larta dhe emigracioni, i cili sa kalon koha, aq më shumë vazhdon të shqetësojë vendin. Politikë është edhe absurditeti që sot një pjesë e rinisë ngrihet dhe kërkon demokracinë që e konsideron të munguar, njësoj siç prindërit dhe gjyshërit e tyre kërkonin demokraci 35 vite më parë. Politikë janë edhe akuzat për korrupsion dhe keqpërdorim të pushtetit që janë ngritur ndër vite ndaj kësaj qeverie.
Prandaj, ta injorosh politikën në këtë moment është një gabim i madh.
Një protestë mund të nisë nga një kauzë qytetare. Mund të nisë nga mbrojtja e një territori, nga një padrejtësi konkrete apo nga një problem i caktuar. Por kur ajo shndërrohet në një lëvizje kombëtare që kërkon ndryshim qeverisës, atëherë ajo përballet me një pyetje të pashmangshme: “Kush do ta përfaqësojë këtë ndryshim?”
Krijimi i një force politike që do të përfaqësojë këtë protestë, ose bashkimi i saj dhe i pjesëmarrësve të saj me një forcë politike që synon të marrë pushtetin përmes votës, nuk është thjesht i dëshirueshëm. Është i domosdoshëm nëse duam që potenciali i kësaj proteste të mos humbasë. Sepse protesta, sado masive të jetë, nuk mund të jetë qëllim në vetvete. Protesta duhet të prodhojë ndryshim. Dhe ndryshimi politik, në një demokraci, prodhohet përmes organizimit, përfaqësimit dhe votës. Përndryshe, rrezikojmë që gjithçka të përfundojë aty ku nisi: në bulevard.
Zgjedhjet do të zhvillohen përsëri. Makineria elektorale e mazhorancës do të vihet sërish në lëvizje. Do të përdoren të gjitha mekanizmat që kjo forcë politike ka ndërtuar ndër vite për të ruajtur pushtetin. Dhe nëse kjo protestë nuk arrin të shndërrojë zemërimin qytetar në një alternativë konkrete politike, ekziston rreziku që, pas 100 ditësh në shesh, gjithçka të mbetet vetëm një kujtim i madh i një revolte që nuk arriti të bëhej ndryshim.












