Kryedemokrati Sali Berisha përshëndeti edhe zgjedhjet në Kosovë, që u mbajtën më 28 dhjetor dhe nxorën fituese vetëvendosjen e Albin Kurtit.
Duke iu referuar edhe reagimeve zyrtare nga SHBA-të nëpërmjet DASH-it, ai nënvizoi se Uashingtoni zyrtar uron vetëm qeveritë që bëjnë zgjedhje të ndershme dhe jo ato që bëjnë farsa, duke nënkuptuar zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri dhe mungesën e një urimi nga Amerika për kryeministrin Rama.
“Thjesht zgjedhjet ishin jo të lira. Është shpjeguar nga Departamenti i Shtetit, nga zëdhënësi se qeveria e SHBA-së uron vetëm zgjedhje të lira. Uron vetëm zgjedhje të lira. Kosova zhvilloi zgjedhje model. Dy herë brenda 10 muajve. Qytetarët e Kosovës u thirrën dhe dy herë brenda 10 muajve dhanë verdiktin e tyre”, tha Berisha mes të tjerash.
Teksa më tej shtoi shpjegimin se SHBA-të bëjnë urime vetëm kur zgjedhjet janë të lira, duke vënë në dukje mungesën e një urimi këtë vit, ndryshe nga çfarë ndodhi më 2021.
“Kurse Edi Rama nuk mund të urohej, siç ndodhi në vitin 2021 sepse qeveria e SHBA-së ka shpallur si princip; do urojmë vetëm qeveritë që bëjnë zgjedhje të ndershme. Fituesit e zgjedhjeve të ndershme, jo farsave pra. Nuk kanë të bëjnë me farsa”, tha kreu i selisë blu.












