Bashkimi Evropian ka kërkuar zyrtarisht nga Shqipëria të rikthejë 33.5 milionë euro të programit IPARD II, pasi auditimet kanë zbuluar se këto fonde janë përdorur “në mënyrë të parregullt” gjatë viteve 2020–2022.
Në përgjigjen për A2CNN, Komisioni Evropian thekson se: “Çdo shumë që rezulton të jetë përdorur në mënyrë të parregullt do të duhet të kthehet në buxhetin e BE-së.”
Sipas të njëjtës përgjigje, qeveria shqiptare ka angazhuar një kompani të specializuar ndërkombëtare për të kryer një auditim të thelluar të granteve dhe pagesave të IPARD II, si edhe të sistemit të brendshëm të kontrollit. Tani që rekomandimet e auditimit janë në dorë të institucioneve shqiptare, Komisioni pret masa konkrete.
BE kërkon që çështja të trajtohet pa asnjë tolerim: “Duke qenë se bëhet fjalë për fondet e taksapaguesve të Bashkimit Evropian, Komisioni pret që autoritetet shqiptare ta trajtojnë këtë çështje me seriozitet maksimal.”
A2CNN raporton se abuzimet e konstatuara kanë prodhuar pasoja të menjëhershme: së bashku me një pjesë të fondeve të IPARD II, janë ngrirë edhe fondet e IPARD III, që arrijnë në 146 milionë euro, prej të cilave 112 milionë janë financim nga BE. Nëse autoritetet shqiptare nuk ndërmarrin shpejt masat e kërkuara, mund të humbet i gjithë financimi, që skadon në vitin 2027.
Komisioni Evropian konfirmon se aktualisht është në zhvillim një procedurë dypalëshe me Shqipërinë.
“Qëllimi është që të sigurohet vendosja sa më shpejt e masave të duhura korrigjuese nga ana e institucioneve shqiptare”, deklaron Komisioni.
Përtej institucioneve të BE-së, edhe SPAK ka hapur hetime për abuzimet me fondet IPARD, me synimin për të zbardhur përgjegjësitë dhe për të ndëshkuar shkeljet.












