Politiko.al
Ogerta Manastirliu u shtang përballë socialistëve kur Edi Rama shpalli gjatë Asamblesë, se ajo nuk do të ishte më ministre.
“E di që nuk do ma falësh kollaj në një kohë më të gjatë mbase kësaj here këtë bombë të palajmëruar”, tha kryeministri, teksa shikimi i ministres së Arsimit tregoi më shumë se fjalët.
Rama e caktoi kandidate të Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, duke i mbyllur karrierën si ministre dhe duke e vendosur përballë një beteje që, sipas tij, është më e rëndësishme se çdo dikaster.
Por nëse ky ishte një nder apo një “goditje”, këtë Manastirliu e tregoi me mimikën e saj.

Historia e saj politike ka nisur më shumë se dy dekada më parë, në Bashkinë e Tiranës, kur Edi Rama sapo ishte zgjedhur kryebashkiak.
Në një video që sot qarkullon virale në rrjete, shfaqet Manastirliu si punonjëse e thjeshtë që ngjitet në skenë gjatë emisionit Opinion për t’i dorëzuar dhuratën surprizë kryebashkiakut Rama.
Në vitet që pasuan, ajo do të ngjitej në çdo shkallë të karrierës nën vëmendjen e Ramës. Drejtoi QSUT-në, u shpall “Bleta e Artë”, më pas mori në duar Shëndetësinë, duke u bërë një nga figurat më të ekspozuara të qeverisë socialiste gjatë pandemisë. Në 2023 u emërua ministre e Arsimit, post të cilin e dorëzoi më 11 shtator, për të hyrë në garën për Bashkinë e Tiranës.
Sot, më shumë se 20 vite pasi hyri për herë të parë në atë institucion si një punonjëse e re, Ogerta Manastirliu kthehet në Bashkinë e Tiranës me synimin për ta drejtuar vetë.
Ironia qëndron se kjo ndodhi vetëm sepse Edi Rama vendosi të mos e mbante më në qeveri.
Prandaj pyetja që qarkullon është e thjeshtë: a është kjo një shpërblim i madh apo një “bombë” e mbështjellë si dhuratë? Dhe mbi të gjitha, a do t’ia falë Manastirliu Ramës këtë surprizë?












