Bota

Narko-shteti/ Pse SHBA vendosi për kokën e Maduros një shumë më të madhe se ajo për Bin Ladenin?

Nga Alexander Heinen, BILD

SHBA-të jo vetëm që po rrisin ndjeshëm tarifat doganore, por edhe shpërblimet për ‘kokë’: Tani është shpallur një shpërblim rekord prej 50 milionë dollarësh për informacione që çojnë në arrestimin e diktatorit të Venezuelës, Nicolás Maduro (62 vjeç). Këtë e bëri të ditur ministrja amerikane e Drejtësisë, Pam Bondi në rrjetin social X.

Maduro e ka qeverisur vendin me dorë të hekurt që nga viti 2013, dhe në janar 2025 u betua sërish si kreu i shtetit — pasi kishte kërcënuar me luftë civile nëse do të humbiste rizgjedhjen.

Edhe në janar, SHBA kishte caktuar një shpërblim prej 25 milionë dollarësh për kapjen e tij. Tani ata e kanë dyfishuar!

Në deklaratën e saj të fundit, Bondi e quajti Maduron “rrezik për sigurinë kombëtare të SHBA-së”, duke e akuzuar gjithashtu se është “një nga trafikantët më të mëdhenj të drogës në botë.”

Sipas zëvendësministrit të Jashtëm të SHBA, Christopher Landau, shuma prej 50 milionë dollarësh (rreth 43 milionë euro) është shpërblimi më i lartë që Shtetet e Bashkuara kanë shpallur ndonjëherë.

Për krahasim: për kapjen e ish-liderit të al-Kaedës, Osama bin Laden, ishte shpallur një shpërblim prej 25 milionë dollarësh.

Programi amerikan “Rewards for Justice” (Shpërblime për Drejtësi) ekziston që nga viti 1984 dhe u zgjerua ndjeshëm pas sulmeve terroriste të vitit 2001. Ndërsa shpërblimet për terroristët zakonisht justifikohen nga arsye të qarta të sigurisë kombëtare, rasti i Maduros është i pazakontë, pasi ai është president në detyrë i një shteti sovran.

Qeveria në Karakas reagoi me indinjatë: Ministri i Jashtëm, Yván Gil, e quajti në Telegram këtë veprim si një “tymnajë qesharake” dhe nismën amerikane si një “fushatë të trashë propagandistike”.

Që në vitin 2020, një gjykatë amerikane në Nju Jork kishte ngritur aktakuzë ndaj Nicolás Maduro nën dyshimin për “narkoterrorizëm”. Ai akuzohet se ka qenë udhëheqësi i kartelit të drogës “Cártel de los Soles” (Karteli i Diellit), që dyshohet se ka trafikuar tonelata kokainë drejt SHBA-ve për dekada me radhë.

Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Karakasit prej vitesh konsiderohen të shkatërruara. Në vitin 2019, Venezuela shkëputi marrëdhëniet diplomatike me SHBA-në, pasi këto të fundit nuk e njohën fitoren zgjedhore të Maduros. Pasuan sanksione dhe një embargo ndaj naftës. Rreth një vit më parë, Nicolás Maduro u betua sërish si president, pavarësisht akuzave për manipulim masiv, protestave të gjera në vend dhe kritikave të ashpra ndërkombëtare. Mandati i tij i tretë pritet të zgjasë deri në vitin 2031.

Opozita venezueliane nuk e njeh rezultatin, duke e shpallur kandidatin e saj, Edmundo González, si fituesin e vërtetë të zgjedhjeve. Edhe Bashkimi Evropian dhe shumë vende të Amerikës Latine e vënë në dyshim rezultatin – ata e konsiderojnë González-in, i cili jeton aktualisht në mërgim në Spanjë, si presidentin legjitim të Venezuelës. Ministri i Jashtëm amerikan Marco Rubio deklaroi:  “Që prej vitit 2020, Maduro e ka mbytur demokracinë në Venezuelë dhe është ngjitur pas pushtetit”.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts