Tre shtetas shqiptarë kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë në Autobahn 48 në Gjermani, pranë qytetit Koblenz të Rheinland-Pfalz, ndërsa disa të tjerë kanë mbetur të plagosur, njoftojnë mediat gjermane.
Gjashtë persona të tjerë u dërguan në spital me lëndime të rënda, tha shefi i operacioneve të departamentit të zjarrfikësve. Sipas policisë, nëntë personat kishin qenë më parë në një festë familjare në Hesse. Aktualisht nuk ka prova që shoferi 22-vjeçar, ishte nën ndikimin e alkoolit ose drogës.
Viktimat, janë një burrë 53-vjeçar dhe dy gra të moshës 47 dhe 65 vjeç. Gjashtë të plagosurit janë midis moshës 20 dhe 66 vjeç. Sipas policisë, disa prej tyre u plagosën rëndë, por jo në rrezik për jetën.
Sipas një zëdhënësi të policisë, aksidenti ndodhi rreth orës 3:05 të mëngjesit në rrugën drejt Trierit. Sipas të dhënave të para, minibusi ka dalë nga rruga dhe më pas është përmbysur, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur dinamikën e aksidentit të rëndë.













