Ish-ministri dhe ish-deputeti Genc Pollo ka reaguar në rrjetet sociale në lidhje me qëndrimin e ambasadorit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, gjatë pjesëmarrjes së këtij të fundit në marshimin e komunitetit LGBT.
Në fjalën e tij, ambasadori u shpreh: “Jam këtu në cilësinë e përfaqësuesit të institucionit… Puna që bëni ju, puna që bën Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është shumë e rëndësishme për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Jemi këtu për t’ju ndihmuar për të mbushur të gjitha angazhimet që keni marrë për planin kombëtar të veprimit për çështjen LGBT.”
Në reagimin e tij, Pollo ngre një pyetje drejtuar ambasadorit: “Pse mungon në marshimet pro familjes që zhvillohen në mënyrë periodike në Tiranë? Në to ai mund të jepte mesazhe pozitive në mbështetje të familjes dhe fëmijëve.”
Pollo thekson se kauza e familjes është po aq e rëndësishme, sidomos në kushtet e krizës demografike që po përjeton vendi. Ai kujton se edhe qeveria shqiptare, si dhe vetë politikat e Bashkimit Europian, në dokumente zyrtare, angazhohen për nxitjen e lindshmërisë dhe mbështetjen e familjes.
Reagimi i plotë i Genc Pollos:
Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë thotë se “jam këtu (në marshimin LGBT) në cilësinë e përfaqësuesit të institucionit…Puna që bëni ju, puna që bën Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është shumë e rëndësishme për anëtarësimin Shqipërisë në BE … Jemi këtu për t’ju ndihmuar për të mbushur të gjitha angazhimet që keni marrë për planin kombëtar të veprimit për çështjen LGBT”
Pyetja ime për të: pse mungon ambasadori në marshimet pro familjes që ndërmerren periodikisht në Tiranë; ku mund të jepte kumte pozitive pro familjes e fëmijëve.
Kauza e këtyre marshimeve është absolutisht e rëndësishme edhe për shkak të krizës demografike; familja e lindshmëria janë pjesë e angazhimeve (në letër) të qeverisë dhe e politikave të BE-së.
Për ministren mund të bëhej e njëjta pyetje po druaj nuk ja vlen.












