Politika

KQZ publikon shifrat: Sa është pjesëmarrja në zgjedhje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar të dhënat e para mbi pjesëmarrjen në votimet e 11 majit. Deri në orën 09:00, sipas KQZ-së, pjesëmarrja në rang vendi ka arritur në 5.16% të votuesve, ndërsa një orë më parë, në orën 08:00, kjo shifër ishte 2.13%.

Qendrat e votimit u hapën zyrtarisht në orën 07:00 të mëngjesit dhe do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00. Në këto zgjedhje kanë të drejtë vote gjithsej 3,713,761 shtetas shqiptarë, mes të cilëve 114 mijë janë votues për herë të parë.

Për herë të parë në historinë zgjedhore të vendit, shqiptarët që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë kanë pasur mundësinë të votojnë nëpërmjet një platforme elektronike të regjistrimit të votës në diasporë, e cila qëndroi e hapur nga 11 janari deri më 11 mars 2025.

Nga 245,935 zarfe me fletë votimi të dërguara drejt emigrantëve, 227,097 janë marrë nga zgjedhësit dhe 181,609 kanë mbërritur deri më tani në KQZ. Kjo përfaqëson një shkallë pjesëmarrjeje prej 74% të të gjithë votuesve të regjistruar nga diaspora – një angazhim i lartë që evidentohet edhe nga fakti se 93% e zgjedhësve morën fletën e votimit dhe 81% e tyre e kthyen atë të plotësuar.

Votat e diasporës do të numërohen në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe do të konsiderohen si të hedhura në qarkun ku votuesi ka pasur adresë të regjistruar në Shqipëri.

Subjektet në garë dhe ndarja e mandateve

Në garë për 140 vendet në Kuvendin e Shqipërisë janë 11 subjekte zgjedhore, përfshirë parti dhe koalicione të ndryshme:

  • Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore
  • Partia Lëvizja Bashkë
  • Lëvizja Atdheu
  • Koalicioni Euroatlantik
  • Partia Socialiste
  • Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet
  • Aleanca Kombëtare Shqiptare
  • Aleanca Demokracia e Re
  • Koalicioni Djathtas për Zhvillim
  • Partia Mundësia
  • Partia Social Demokrate

Të 11 subjektet përfaqësohen nga gjithsej 2,046 kandidatë, të cilët garojnë për 140 mandate të ndara në mënyrë proporcionale rajonale në 12 qarqet e vendit:

Tiranë – 37 mandate

Fier – 16 mandate

Elbasan dhe Durrës – 14 mandate secili

Shkodër – 11 mandate

Korçë – 10 mandate

Berat dhe Lezhë – 7 mandate secili

Dibër – 5 mandate

Gjirokastër – 4 mandate

Kukës – 3 mandate

KQZ pritet të japë përditësime të tjera gjatë ditës për ecurinë e procesit dhe nivelin e pjesëmarrjes në orare të caktuara.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts