Deputeti gjerman dhe raportuesi për Ballkanin Perëndimor në Bundestag, Peter Beyer, ka shprehur rezerva të qarta ndaj idesë së promovuar nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç për një model të ri të integrimit në Bashkimin Europian.
Duke komentuar tekstin e përbashkët të Ramës dhe Vuçiçit në podcastin “Half an Hour of Demostat”, Beyer pranon se e kupton qëllimin e tyre për ta bërë procesin më fleksibël, por lë të nënkuptohet se propozimet e tilla mbartin rreziqe serioze për thelbin e integrimit europian dhe mund të krijojnë një integrim “me zgjedhje”, që bie ndesh me parimet e BE-së.
“Pamë që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, së fundmi shkruan së bashku një tekst për këtë çështje, i cili u prit me reagime të ndryshme, nga mbështetje deri te kritikat. Mund ta kuptoj qëllimin e tyre. Ata madje sugjeruan se ndoshta nuk është e nevojshme që menjëherë të ekzistojë e drejta e vetos. Pra, po flitet për akses në tregun e brendshëm ose në tregun unik. Siç thoshte me të drejtë Bill Clinton, “është ekonomia, budallenj”. Po, sigurisht që ekonomia është e rëndësishme, por kjo nuk mund të mbarojë vetëm aty. Nuk mund të përfitosh vetëm nga tregu i brendshëm dhe pastaj të harrosh gjithçka tjetër”, u shpreh ai.
Megjithatë, sipas tij, një qasje e tillë – që nënkupton integrim të pjesshëm apo lehtësim të disa mekanizmave kyç të BE-së – rrezikon të deformojë procesin dhe të krijojë një model “zgjedhjeje sipas dëshirës”.
Beyer thekson se nuk mund të ketë një integrim “me menu”, ku vendet përfitojnë nga tregu i përbashkët pa përmbushur plotësisht standardet politike dhe institucionale.
“Nuk mund të fitosh akses në treg dhe të injorosh gjithçka tjetër. Prandaj shumë njerëz sot po mendojnë se si të gjejnë një mënyrë për ta bërë procesin më tërheqës dhe motivues për qytetarët. Si të rritet mbështetja për integrimin europian në shoqëri? Si të bëhet procesi më tërheqës?”, tha Beyer.
Në këtë linjë, ai ngre shqetësimin se ide të tilla mund të ushqejnë edhe një tendencë më të gjerë brenda BE-së për të ofruar vetëm anëtarësim të pjesshëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, pa një perspektivë reale për anëtarësim të plotë.
“Dua të paralajmëroj për një gjë: Ka njerëz në Europë që besojnë se duhet të ndalemi te anëtarësimi i asociuar, pa arritur në anëtarësimin e plotë në fund, pra që BE-ja të ofrojë vetëm një anëtarësim të pjesshëm për vendet kandidate. Kjo do të ishte një tradhti — dhe një tradhti ndaj vetvetes. Më kujtohet sërish Selaniku i vitit 2003. Atëherë ne premtuam një perspektivë europiane dhe ai premtim duhet të mbetet i vlefshëm”, thekson Beyer.
Në thelb, qëndrimi i tij sinjalizon një skepticizëm ndaj modeleve alternative si ai i propozuar nga Rama dhe Vuçiç, duke insistuar se procesi i zgjerimit duhet të mbetet i bazuar në meritë të plotë dhe në përmbushjen e të gjitha kritereve, pa rrugë të shkurtra.












