Pas datës 20 të çdo muaji, koncesionari i QSUT-së nuk do të ofrojë analiza për pacientët e shtruar. Arsyeja? Nuk ka më fonde.
Këtë e konfirmoi vetë ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, pas mbledhjes së qeverisë. E pyetur nga gazetarët për këtë problem, ministrja premtoi se do t’i jepte zgjidhje brenda vitit.
“Aktualisht një nga metodat është mbledhja e të dhënave dhe mbi bazën e të dhënave bëhet planifikimi i shërbimit. Prandaj mbledhja e të dhënave, kemi mbledhur të dhëna për të parë sepse nuk duhet të mungojnë analizat jo vetëm në datën 20 por dhe në datën 30. Këtë po e adresojmë dhe do e zgjidhim brenda këtij viti”, tha Sala.
Premtime pa zgjidhje, ministrja ka dhënë edhe më parë për situata emergjente siç është rasti i Onkologjikut, ku pacientët me kancer vuajnë mungesën e brakiterapisë dhe petskanit.
Në fillim të muajit Mars, gjatë një konferencë me gazetarët, Evis Sala premtoi zgjidhje për brakiterapinë brenda vitit, pa i mëshuar pasojave rreziqeve që sjell mungesa afatgjatë e pajisjes për pacientët me kancer.
“Brakiterapia do të vijë vërtet brenda këtij viti. Do ta mbaj fjalën, do të kemi një aparaturë moderne brenda vitit. Shërbimi i brakiterapisë që nuk ka ekzistuar prej vitesh do fillojë të ekzistojë brenda vitit 2026. Përsa i përket petskanit. Shpesh ne kemi një konceptim që po që se kemi një pajisje të specializuar siç është petskani, në momentin që kemi pajsijen gjithçka është në rregull. Jo nuk është kështu. Duhet ngritur shërbimi, mjek të specializuar”, deklaroi sokohe Sala.
Pas premtimeve të përsëritura dhe afateve që nuk respektohen, pacientët mbeten sërish në pritje të shërbimeve bazë. Mungesa e fondeve, pajisjeve dhe specialistëve i vendos ata përballë një realiteti të pamëshirshëm: shëndeti i tyre nuk mund të presë premtime ‘brenda vitit’. Shteti duhet të përgjigjet tani, jo nesër.












