Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kundërshtuar paketën e re fiskale të qeverisë, duke e cilësuar atë si “paketën e mjerimit të qytetarëve” dhe të mbështetjes së oligarkëve e miliarderëve.
Në një deklaratë për mediat, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se e ka hartuar dhe paraqitur paketën fiskale në fshehtësi të plotë, madje edhe pa informuar ministrat e kabinetit të tij.
“Jam sot këtu për të denoncuar paketën fiskale të re si paketën e mjerimit të qytetarëve, si paketën e mbështetjes së oligarkëve dhe miliarderëve. Edi Rama thuhet se në fshehtësi të plotë edhe nga ministrat e tij, paraqiti dy ditë më parë një paketë në të cilën rrit taksat në total me rreth 200 mln euro, me të cilën godet në mënyrë të egër bizneset e vogla, profesionet e lira, klasë e mesme me një rol përcaktues në shërbimet ndaj qytetarëve, familjet e varfra.
Në paketën e tij famëzezë, ai rrit tvsh e përgjithshme me 21%, duke shkaktuar kështu një rritje të përgjithshme të çmimeve, duke goditur aftësinë konkurruese të sipëmarrjeve shqiptare. Me paketën e tij ai njoftoi se do ulë tvsh për 50 mallra bazë. Në pamje të parë kjo bëhet për të ulur çmimet. Zero efekt, hipokrizi totale. Në të njëjtën kohë të gjitha dyqaneve ku blihen këto mallra ul pragun e tvsh dhe i fut në tvsh. Pra dyqanet në tërësi janë biznese me xhiro nën 10 mln. Tani e ul në 5 mln. Këto dyqanet që sheshin mallrat që blihen dhe hiqet tvsh, tani këto futen në tvsh. Këto kanë dy rrogë, ose falimentimin ose rrisin çmimet”, deklaroi Berisha.











