Në Gërhot të Gjirokastrës është zhvilluar këtë të diel ceremonia përkujtimore në nderim të dëshmorëve nacionalistë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në aktivitet ishte i pranishëm kreu i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, së bashku me zv/kryetarin e partisë, Xhemal Shkiau, ndërsa në emër të Partisë Demokratike mori pjesë Shkëlqim Lepenica, Sekretar i Departamentit të Përndjekurve Politikë. Në reagimin e tij, Roshi vlerëson figurën e të rënëve të Gërhotit dhe veçanërisht komandantin Hysni Lepenica, duke e cilësuar ngjarjen si një dëshmi të përplasjes së forcave nacionaliste me pushtuesit dhe të asaj që ai e përshkroi si bashkëpunim të komunistëve me italianët.
Postimi i plotë në FB:
Sot në Gërhot të Gjirokastrës së bashku me zv/kryetarin e Partisë Balli Kombëtar Demokrat z.Xhemal Shkiau për të nderuar dëshmore nacionalistë.Po ashtu në emër te Partisë Demokratike ishte i pranishëm në kete nderim z.Shkelqim Lepenica Sekretar i Departamentit të përndjekurve politikë.
Të rënët e Gërhotit me në krye komandantin e tyre Hysni Lepenicën u vranë nga Italianët të ndihmuar nga komunistët, mes dy zjarreve.

Kjo ngjarje tregon luftën e Ballit kundër pushtuesve dhe bashkpunimin e komistëve me ta, ndryshe nga banalitetet e historiografisë komuniste.

Ne shkojmë jo thjesht si rutinë respekti, por me bindjen se nga eshtrat e tyre marrim emocionin e vazhdimësisë të ideve të tyre demokratike me karakter të fortë kombëtar, marrim shtysa të brendshme për të vazhduar rrugën e tyre politike të projektuar nga Mid’hat Frashëri mbështetur në filozofinë politike konservatore moderne europiane.

Dua të falënderoj të gjithë ata që vijnë çdo vit dhe përulen para eshtrave të tyre, por në mënyrë të veçantë familjen Lepenica që spikasin me fisnikërinë e tyre.













