Opozita ka depozituar në Kuvend kërkesën për ngritjen e një Komisioni Hetimor për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a.
Kërkesa është firmosur nga 41 deputetë të opozitës, ndërsa hetimi parlamentar synon të përfshijë marrëveshjet e bashkëpunimit, prodhimin, importin, eksportin dhe tregtimin e armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake.
Sipas kërkesës së opozitës, Komisioni Hetimor propozohet të ketë një mandat 6-mujor dhe të përbëhet nga 15 deputetë.
Një ndër pikat kryesore të objektit të hetimit lidhet me verifikimin e dyshimeve për krijimin e një skeme të trafikut ndërkombëtar të armëve, të ngritura pas audiopërgjimeve të bëra publike.
Opozita kërkon gjithashtu verifikimin e mënyrës se si janë përzgjedhur, negociuar dhe miratuar marrëdhëniet kontraktuale të KAYO-s me subjektet e tjera tregtare, si dhe kontrollin e ligjshmërisë së marrëveshjeve të bashkëpunimit me palë të treta.
Në fokus të hetimit do të jenë edhe aktiviteti i shoqërisë mëmë “KAYO” dhe shoqërive bija të saj në prodhimin, importin, eksportin dhe tregtimin e armëve e pajisjeve ushtarake.
KËRKESA:
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, Grupi Parlamentar i Partisë së Lirisë dhe Grupi Parlamentar “Aleanca për Ndryshim”, kanë zyrtarizuar kërkesën e tyre të përbashkët për ngritjen e një Komisioni Hetimor për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së Shoqërisë “KAYO” sh.a., në drejtim të marrëveshjeve të bashkëpunimit, prodhimit, importit, eksportit dhe tregtimit të armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake.
Komisioni Hetimor propozohet të ketë një afat veprimtarie 6 mujore dhe të përbërhet nga 15 deputetë.
Deputetët e opozitës kanë përcaktuar edhe objektin e veprimtarisë së Komisionit Hetimor, që do të jetë:
(i) Kontrollin e ligjshmërisë të marrëveshjeve të bashkëpunimit të lidhura ndërmjet shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., dhe palëve të treta;
(ii) Verifikimin e procesit të përzgjedhjes, negocimit dhe miratimit të marrëdhënieve kontraktuale me subjektet tregtare të tjera;
(iii) Kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë të shoqërive mëmë “KAYO” sh.a., dhe shoqërive bija të saj, në drejtim të prodhimit, importit, eksportit dhe tregtimit të armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake;
(iv) Verifikimin e procedurave për alokimin dhe përdorimin e fondeve nga Buxheti i Shtetit;
(v) Verifikimin e dyshimeve për krijimin e një skeme të trafikut ndërkombëtar të armëve, sipas audiopërgjimeve të bëra publike;
(vi) Vlerësimin e përmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga Traktati i Atlantikut të Veriut (NATO);
(vii) Identifikimin e shkeljeve dhe parregullsive të mundshme në administrimin e shoqërisë “KAYO” sh.a., shoqërive bija dhe fondeve publike, si dhe nxjerrjen e përgjegjësive institucionale;
(viii) Vlerësimin e nevojës për marrjen e masave, përfshirë ndërhyrjet ligjore nëpërmjet miratimit, korrigjimit apo plotësimit të legjislacionit relevant për garantimin e parimeve të ligjshmërisë, integritetit, llogaridhënies, konkurrencës dhe transparencës në veprimtarinë e shoqërisë mëmë “KAYO” sh.a., dhe shoqërive bija të saj, në përputhje me parimin e shtetit të së drejtës dhe mbikëqyrjes parlamentare.
Bashkëlidhur kërkesa e plotë e depozituar nga 41 deputetë të opozitës në Kuvendin e Shqipërisë.













