Vjen reagimi i kryeministrit Edi Rama një ditë pasi Prokuroria e Posaçme ka regjistruar emrin e zëvendëskryeministres dhe ministres së Energjisë, Belinda Balluku, si person nën hetim për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.
Gjatë një interviste për Deutsche Welle, Rama u shpreh shkurtimisht se nuk ka asnjë koment pasi drejtësia ka punën e saj.
“Nuk kam asnjë koment për asnjë rast, sepse siç e kam thënë, ne kemi punën tonë, drejtësia ka punën e vet. Deri kur çështje të caktuara marrin formën e tyre të prerë, të gjithë njerëzit janë të pafajshëm dhe të padënueshëm nga gjykata popullore e politikës dhe mediave që i shërbejnë politikës”, tha Rama shkurtimisht.
Deklarata e Ramës vjen në një moment kur SPAK po intensifikon hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, ndërsa Balluku është një nga figurat më të afërta të tij në kabinetin “Rama 4”.
Balluku është thirrur të paraqitet në SPAK ditën e hënë, në bazë të një fletëthirrjeje të firmosur nga prokurori i posaçëm Dritan Prençi, ku i kërkohet të jetë e shoqëruar nga avokati i saj.












