Nga Artur Roshi
Kandidati i Opozitës thjesht duhet të luftojë për parimet tona, liria e tregut, liria e individit, etj., që t’u tregojë qytetarëve se ne nuk i lëshojmë parimet tona, identitetin dhe ADN-në tonë politike edhe në kohë diktature si kjo që po kalojmë. Ky është kriteri i gjithë kritereve për të.
Ne dimë çfarë do të ndodhë me zgjedhjet dhe në kohë të tilla duhet të ruajmë votat e njerëzve tanë nëpërmjet sakrificës tonë dhe të tyre, dmth ne duhet të motivojmë thjesht idealistët, pjesën bazike të votuesve tanë.
Si mund të mendosh se për Tiranën, ku jetojnë gjysma e shqiptarëve, të vendosim një njeri jo politik, pa formim politik, që do të thotë të zhbësh besimin edhe të njerëzve më stabilë.
A ka kuptim që një parti politike të përfaqësohet nga një individ jo politik? Jo, sepse kjo do të thotë që të denigrosh vetveten dhe të mos kemi kurajë të mbrojmë vetveten dhe bindjen tonë.
Një njeri jo politik mund të rrëzojë gjithë kauzën tonë dhe të jetë konformist me regjimin totalitar të Ramës.
Me logjikën e peshës politike i takon PD-së të vendosë për emrat, por sipas momentit politik mendoj se Opozita duhet të ketë referencë gravitetin historik të personit që të ngjizë bërthamën e njerëzve stabilë politikë.












