Nuk dihet ende se si Elvis Shkambi arriti të futet i armatosur në sallën e gjyqit në Gjykatën e Apelit, por ai ka qëlluar ndaj gjykatësit Astrit Kalaja me disa plumba në gjoks duke e lënë të vdekut, ndërsa më pas ka plagosur 2 persona të tjerë në sallën e gjyqit.
Një prej të plagosurve është dërguar në spitalin e Traumës për të marrë ndihmën e parë, ndërsa ndërhyrja e policisë dhe njerëzve të tjerë që ishin në sallën e gjyqit kanë neutralizuar atentatorin Elvis Shkambi.
Shkak i konfliktit duket të ketë qenë një konflikt pronësie, ndërsa në orën 14:00 pritej të jepej vendimi i Apelit nga gjykatësi Astrit Kalaja.
Dy të plagosurit e tjerë janë babë e bir, Rakip dhe Evis Kurtaj. Gjyqi mendohet se kishte nisur rreth orës 14:00 dhe duket se vendimi i Apelit do të ndante konfliktin për pronat në gjykatë, ku Elvis Shkambi mendohet se ishte palë.

Deri në tani është mësuar se familja e autorit të vrasjes së gjykatësit Kalaja, ishte në një kalvar gjyqesh për pronën e saj të uzurpuar, që ishte ish-shkolla e rezervave në Shkodër.
Një familjar i autorit, i quajtur Gjon Shkambi është ankuar vazhdimisht në media, pasi rezultonte pronari i godinave ku jetonin 31 familje dhe pronat i kishte me dokumentacion të rregullt që i kishte fituar përmes proceseve gjyqësore. Por në Apel disa dokumenta i kishin humbur, duke e rikthyer çështjen në shkallën e parë.
Familja Shkambi kërkonte nga policia dhe përmbarimi, lirimin e pronave të saj, ndërkohë që njerëzit që i kishin uzurpuar i jepnin me qira. Është një seri e emisionit STOP, që ka trajtuar denoncimin e familjes Shkambi për pronat e saj, përfshirë edhe kalvarin në gjykata që vazhdonte prej dekadash. Emisioni është transmetuar 5 vite më parë, në vitin 2020 dhe ende sot familja Shkambi nuk e kishte gjetur të drejtën.

Në Korrik 2020, gazetarja e emisionit “Stop” ka tentuar të ndjekë gjurmët e dosjes gjyqësore në Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën e Shkallës së Parë, ku është përballur me mungesë dokumentacioni dhe përgjigje kontradiktore nga administrata gjyqësore.
Kryesekretarja e Gjykatës së Apelit ka konfirmuar se dosja është kthyer në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër, ndërsa kancelarja e kësaj gjykate ka pranuar se procesverbalet e munguar mund të jenë harruar “pa dashje”, edhe pse ato figurojnë të regjistruara në sistemin elektronik.
“Proces-verbali kapet në dosje. Thjesht është çështje harrese, pa ndonjë keqdashje. Në sistem e kam të hedhur, por fizikisht nuk gjendet,” – është shprehur kancelarja për emisionin Stop.
Sipas informacioneve paraprake, atentatori është ndaluar menjëherë pas ngjarjes dhe është shoqëruar për në ambientet e Policisë së Tiranës.
Karriera e gjykatësit Astrit Kalaja

Astrit Kalaja është me origjinë nga Shkodra. Në kuadër te procesit te Vettingut, ai u rikonfirmua në detyrë dhjetor të 2019. Ai është diplomuar në fakultetin e drejtësisë me titullin ‘jurist’.
Pas mbarimit të studimeve ai është emëruar si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe që nga viti 2004 ushtron detyrën e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Shkodër. Në vitin 2011 ai ka përfunduar një master në Universitetin e Tiranës dhe ka shërbyer gjithashtu si anëtar i Kolegjit Zgjedhor.
Njoftimi i Policisë
Rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjatë një procesi gjyqësor, dyshohet se shtetasi E. Sh., 30 vjeç (palë në proces) ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit, shtetasit A. K., dhe shtetasve R. K., 65 vjeç dhe E. K., 45 vjeç, atë e bir (pala tjetër në proces).
Si pasojë ka humbur jetën shtetasi A. K. dhe janë plagosur shtetasit R. K. dhe E. K, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e DVP Tiranë, të autorit të dyshuar, shtetasin E. Sh., si dhe kanë sekuestruar armën e krimit.












