Pas gjyqtarëve Elsa Gjeli dhe Hazbi Balliu, kryeministri Edi Rama ka shprehur shqetësimin edhe për vendimin e gjyqtarit Klarent Demiri.
Në një reagim, Rama tha se Demiri ka penguar ekzekutimin e vendimit për çlirimin e një “toke të zënë” dhe jo një herë, por dy herë.
“Çfarë duhet të ketë ngrënë gjykatësi Klarent Demiri kur ka marrë vendimin për të penguar ekzekutimin e vendimit të çlirimit të kësaj ‘toke të xanun’? Dhe nuk ka marrë një, po dy vendime të tilla, duke u shquar si i vetmi gjykatës deri tani që i ka rënë ndesh haptaz interesit publik,” deklaroi Rama.
Ai shtoi se qeveria nuk do të tolerojë më asnjë përfaqësues të pushtetit gjyqësor që, sipas tij, keqpërdor pavarësinë për të cënuar pushtetin ekzekutiv dhe projektet publike.
Kryeministri njoftoi se edhe për gjyqtarin Demiri do t’i drejtohen institucioneve të pavarura të qeverisjes dhe kontrollit të gjyqësorit, njësoj si për Gjelin dhe Balliun, duke bërë thirrje që ato të dalin nga “zona e komfortit” dhe të tregojnë profesionalizëm e kurajo në zbatimin e Reformës në Drejtësi.
Rama: Çfarë duhet të ketë ngrënë gjykatësi Klarent Demiri kur ka marrë vendimin për të penguar ekzekutimin e vendimit të çlirimit të kësaj “toke të xanun”? Dhe nuk ka marrë një, po dy vendime të tilla, duke u shquar si i vetmi gjykatës deri tani që i ka rënë ndesh haptaz interesit publik, interesit të komuniteteve për çlirimin e hapësirave të tyre publike dhe zbatimit të programit të qeverisë në dobi të qyteteve e në funksion të Shqipërisë 2030 në BE.
Një gjë është pak po e sigurtë, ne nuk do ta tolerojmë më as në heshtje, as duarlidhur asnjë përfaqësues të pushtetit të pavarur gjyqësor, që pavarësinë e tij do ta keqpërdorë për të cënuar pavarësinë e pushtetit ekzekutiv, duke penguar përmes shpërdorimit arbitrar të detyrës së tyre zbatimin e programeve, projekteve apo vendimeve në interes të publikut
Edhe për gjykatës Demirin do t’i drejtohemi organeve të pavarura të qeverisjes e të kontrollit të gjyqësorit, njësoj si për Gjelin dhe për Balliun, duke vazhduar të shpresojmë se këto organe jetike për mirëqeverisjen e gjyqësorit do të dalin nga zona e komfortit ku janë rehatuar, ndërkohë që Reforma në Drejtësi kërkon në radhë të parë përkushtimin, profesionalizmin e kurajon e tyre.













