Kryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, ka ngritur akuza të forta ndaj Kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se përgatiti terrenin për zgjedhje të manipuluara përmes një sërë vendimesh të qeverisë që shkelin ligjin zgjedhor.
Në një intervistë në Shijak TV me gazetarin Bejdo Malo, Roshi tha se “Edi Rama nuk hyn në zgjedhje nëse nuk e ka të garantuar rezultatin. Ai i bën kalkulimet që në fillim, i bën vetë, dhe shkon në zgjedhje si shoku Enver, me 88 apo 78 për qind. Janë të qarta gjërat.”
Sipas tij, disa nga vendimet e fundit të qeverisë, si falja e gjobave dhe shpërndarja e bonusit prej 100 euro për pensionistët, janë të paligjshme, duke qenë se sipas Kodit Zgjedhor nuk lejohen masa që favorizojnë grupe të caktuara shoqërore brenda gjashtë muajve nga zgjedhjet.
Artur Roshi: Rama i bën kalkulimet që në fillim. Sipas meje i bën vetë. Nuk futet Rama në zgjedhje nëse nuk e ka të garantuar zgjedhjet dhe shkon si shoku Enver, me 88 apo 78. Janë të qarta gjërat. Vendimi i këshillit të ministrave për faljen e gjobave, vendimi i qeverisë për dhënien e bonusit, 100 euro për çdo pensionist. Shumë vendime qeverie të cilat këto janë në mënyrë të jashtëligjshme.
Ne e dimë, që 6 muaj para zgjedhjeve, nuk lejohen vendime qeverie të cilat suportojnë target grupe të caktuara që kanë statusin e votuesit gjatë zgjedhjeve. Kështu që vetëm këto mjaftojnë, pastaj lëre kur futesh në zgjedhje e shikon ‘trenin bullgar’, dikush tjetër gjente vulën e kutive në kafene, tjetri shihte kutitë e dëmtuara. Të tjerë dyshojnë për ndrrimin e kutive. Shikojmë vota të të njëjtës dorë.











