Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) në Rajonin Tiranë ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Ergys Zela, Ndihmës Specialist në Komisariatin e Policisë Rinas, për veprat penale “Kanosje” dhe “Shpërdorim detyre”.
Arrestimi ka ndodhur pas një incidenti të ndodhur më datë 04.04.2025, rreth orës 22:00, pranë një parkimi në Fushë Krujë. Ergys Zela është përfshirë në një konflikt fizik me shtetasit A. H. dhe O. H., gjatë të cilit ka kanosur jetën e tyre.
Nga veprimet hetimore të kryera nga AMP, në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një gëzhojë me kapsolle të goditura dhe një objekt metalik i deformuar, që dyshohet të jetë predhë. Po ashtu, është gjetur dhe sekuestruar një armë e tipit ‘Glok 17’, me 12 fishekë.
Ky arrestim vjen pas hetimeve intensive dhe veprimeve të menjëhershme të AMP, për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të marrë masat e nevojshme ligjore.












