LajmePolitika

Gara për kreun e PD, Berisha: Procesi më transparent, në PS nuk votohet që nga 2009

Kreu i Partia Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se procesi për zgjedhjen e kryetarit të PD është më transparenti dhe më demokratiku, pasi zhvillohet me parimin “një anëtar-një votë”.

Gjatë një konference me gazetarët, Berisha u pyet nëse do të zhvillojë fushatë për votëbesimin e 23 majit, duke qenë se nuk ka kandidat përballë në garë.

Ai tha se anëtarët e PD janë thirrur të shprehin votëbesimin e tyre në një proces të hapur dhe transparent, ndërsa shtoi se mungesa e kandidatëve përballë kryetarëve në detyrë është një fenomen i zakonshëm edhe në vende të tjera.

“Ky proces shënon formën më demokratike të zgjedhjes së një lideri partie. Në shumicën e rasteve kur garon kryetari, të tjerët nuk hyjnë në garë sepse nuk e kanë të sigurt rezultatin”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, shumë parti politike në botë nuk e zgjedhin kryetarin me votën e anëtarësisë, por përmes forumeve apo aklamacionit, ndërsa PD vijon të zbatojë parimin “një anëtar-një votë”.

Berisha sulmoi edhe Partia Socialiste e Shqipërisë dhe kryeministrin Edi Rama, duke deklaruar se në PS nuk është zhvilluar votim për kryetarin që prej vitit 2009.

“PS e ka në statut ‘një anëtar-një votë’, por nga viti 2009 asnjë anëtar nuk është lejuar të votojë për kreun e partisë”, tha Berisha.

Pjese nga konferenca

*Anesti Bajramemaj, A2CNN: Zoti Berisha, në datën 23, demokratët do të thirren për t’u votëbesuar sërish juve për një mandat tjetër katërvjeçar në krye të PD. A do të bëni fushatë apo jeni të qetë duke qenë se nuk keni kandidat përballë për këto zgjedhje?*

*Sali Berisha:* Unë të bëj fushatë?

*Po, fushatë, siç është zakoni kur i drejtohesh anëtarësisë për të marrë votat.*

*Sali Berisha:* Me datën 23, anëtarët e PD janë të ftuar në një proces ‘një anëtar-një votë’ të shprehin votëbesimin e tyre për Sali Berishën. Dhe me këtë mbyllet në votimin më transparent procesi i zgjedhjes së kryetarit të PD.
Ky proces, duhet të sqaroj, i cili u përfol nga ligësitë në mënyrën më të papërmbajtur, shënon formën më demokratike, procesin më demokratik të zgjedhjes së një lideri partie.
Por, natyrisht prania e kandidatëve është diçka shumë e mirëpritur në këtë proces. Por e vërteta është se në 75 përqind të rasteve kur në garë është kryetari, për fat jo të mirë, të tjerët nuk hyjnë në garë.
Pse nuk hyjnë në garë? Jo se nuk mund të hyjnë në garë, mund të hyjnë plotësisht, por sepse nuk dëshirojnë të angazhohen në një garë që nuk kanë të sigurt rezultatin.
Dhe kjo nuk është vetëm në Shqipëri, kjo është në Evropë dhe në botë. Kjo është statistika e kësaj lloj gare.
Shumica e partive politike në botë nuk e zgjedhin me ‘një anëtar-një votë’ kryetarin, e zgjedhin me forume, e zgjedhin gjer me aklamacion, me duartrokitje dhe merret si ekuivalent vote.
Ne e zgjedhim me praktikën ‘një anëtar-një votë’.
PS e ka në statut ‘një anëtar-një votë’, por nga viti 2009 gjer tani, asnjë anëtar i PS apo i rilindjes mafioze nuk është thirrur, nuk ka pasur mundësi, nuk është lejuar të votojë për Kreun e Meduzës.
Dhe tani, mediat e kontrolluara nga Edi Rama, në mënyrë që të sfumojnë procesin ‘një anëtar-një votë’ që zhvillohet tek partia opozitare dhe mungesën totale të tij tek partia tjetër, tek partia e krimit, merren me procesin e partisë opozitare.
Kërkojnë me çdo kusht t’i krijojnë kandidatë, madje edhe ata që kanë themeluar vetë parti të tjera.
Personazhe të vërteta të realizimit fantastik të Garsia Markezit apo të ndonjë shkrimtari tjetër të kësaj rryme.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts