Kryeministri Edi Rama ka komentuar raportin me deputeten e PS, Elisa Spiropali, pas debateve të fundit dhe deklaratës së saj “më përjashto”, duke lënë të kuptohet se ajo nuk e ka kaluar ende “vijën e kuqe”.
Në një bisedë me gazetarin Nikollë Lesi, Rama u shpreh se reagime të tilla nuk duhen marrë në mënyrë literale, ndërsa theksoi se çdo njeri mund të gabojë.
Kryeministri shtoi se ata që kanë dhënë kontribute mund të kenë edhe një mundësi të dytë apo të tretë, duke nënkuptuar se Spiropali vijon të gëzojë besimin e tij politik.
Pjesë nga intervista:
Nikollë Lesi: Bukur fort. U more me Erion Braçen, harrove Elisa Spiropalin.
Kryeministri Edi Rama: S’ka gjë për të shënuar këtu. Çfarë ka?
Nikollë Lesi: Do përjashtohet? Se ajo tha ‘’më përjashto. Më përjashto, më përjashto, më përjashto’’. Domethënë që lutja vetëm ‘’më hiq qafe’’ apo nuk do të përgjigjesh?
Kryeministri Edi Rama: Kush thotë ‘’hajde, këtu më ke, më vrit’’ e thotë ngaqë të do apo jo? Kështu që nuk duhen marrë …
Nikollë Lesi: S’e ka humbur dashurinë për Skënderbeun.
Kryeministri Edi Rama: Jo, jo, nuk duhen marrë literalisht këto gjëra. Janë krejt normale për sa kohë nuk prekin atë vijën e kuqe.
Nikollë Lesi: Vijën e kuqe ka prekur ajo. Dy vija të kuqe madje, po nuk do ta thuash. Dy. Dy vija që i ka shkelur dy vija të kuqe. Madje dëgjova kolegun Martin Leka që tha ‘’e kisha përjashtuar për tre minuta’’. Tha Martini. I thashë ‘’gabim të përjashtosh’’. Jo- tha ai. ‘’Unë e kisha përjashtuar -tha Martin Leka- në vend, në sekondë’’. ‘’Po Rama është tolerant- tha ai. Jo unë.
Kryeministri Edi Rama: Çdo njeri mund të gabojë. Kush ka dhënë kontribute mund të gabojë dhe herën e dytë, e treta pastaj e ndan.
Nikollë Lesi: Pra Elisa Spiropali ka dhe një vit të kuqe, ndryshe përjashtohet tani.
Kryeministri Edi Rama: Jo, këto i thotë ..këto janë si titujt e “Kohës”, tonë të parës. Se këtu jemi për Kohën tonë, nuk jemi për këto situata doktori, shko te doktori.










