Projekti i njohur si Durrës Marina, i prezantuar si një nga investimet më të mëdha në vend me vlerë rreth 3.2 miliardë euro, po përballet me pikëpyetje të reja pas raportimeve për ulje strukturore në disa prej godinave të tij.
Disa javë më parë, dy nga pallatet e para të kompleksit kanë shfaqur ulje deri në 74 centimetra në tokë, një zhvillim që ka ngritur shqetësime për stabilitetin e ndërtimeve në fazat fillestare të projektit.
Ndërkohë, së fundmi, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka njoftuar se edhe dy godina të tjera në të njëjtin projekt kanë pësuar ulje disa centimetra, duke nxitur ndërhyrje dhe verifikime në terren.
Sipas raportimeve zyrtare, për objektet e kontrolluara janë konstatuar ulje prej 18 cm dhe 28 cm, çka ka çuar në kërkesën për masa të menjëhershme përforcimi nga kompania zbatuese.
“Në përfundim të inspektimit, raporti topografik i Institutit të Ndërtimit konfirmon se: Objekti 02, me fazë ndërtimore 1, 6, 7 dhe 8 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, ka pësuar ulje prej 28 cm; Objekti 04, me fazë ndërtimore 1, 6, 7, 8 dhe 10 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, ka pësuar ulje prej 18 cm”, thuhet në njoftim.
Pas këtyre gjetjeve, IKMT i është drejtuar kompanisë zbatuese të projektit, duke kërkuar marrjen e menjëhershme të masave teknike për përforcimin e strukturave dhe garantimin e qëndrueshmërisë së ndërtesave.
Projekti i Durrës Marina, i promovuar si një transformim strategjik i portit të Durrësit në një qendër turistike dhe rezidenciale luksoze, ka qenë prej fillimit në qendër të debatit publik për shkak të shkallës së ndërhyrjes urbane, vlerës së lartë të investimit dhe ndikimit në zonën bregdetare.
Në vitin 2024 revista ‘Monitor’ shkruante për çmimet marramendëse të apartamenteve në “Durrës Yacht Marina”, ku çmimi për metër katror niste nga 2,880 euro deri në 2, 928 euro.
Asokohe, çmimi për apartamentet me sipërfaqe neto prej 60 m² totali i çmimit të shitjes së pronës varionte nga 120 mijë euro deri në 180 mijë euro apo nga 2,000 deri në 3,000 euro për metër katror sipas vendodhjes dhe pozicionit.
Për apartamentet me sipërfaqe 90 m² të tipologjisë 2+1 totali i çmimit të shitjes varionte nga 180 mijë euro deri në 266 mijë euro. Për metër katror çmimet e shitjes nisin nga 2,000 deri në 2,955 euro, për këtë tipologji prone.
Ndërsa për apartamentet me sipërfaqe 125 m² të tipologjisë 3+1 totali i çmimit të shitjes nis nga 360 mijë euro deri në 366 mijë euro në varësi të pozicionit dhe katit të apartamentit në ndërtesë.










