LajmePolitika

Integrimi në ngërç, por Rama e sheh Shqipërinë në “krye të BE-së” krah Malit të Zi

Në një intervistë për POLITICO, kryeministri Rama ka deklaruar se Shqipëria do të jetë anëtare e plotë e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030.

Shqipëria synon të finalizojë bisedimet e anëtarësimit me BE-në deri në fund të vitit 2027 dhe të bëhet anëtare e plotë e bllokut deri në vitin 2030.”

Kjo deklaratë e Ramës është një refren i përsëritur qysh nga fushata zgjedhore e parlamentareve të 11 Majit, ku PS hyri me moton “Shqipëria 2030 në BE”.

Mbi të gjitha, Rama e vendos Shqipërinë në një linjë me Malin e Zi kur thotë se vendi ynë renditet mes vendeve më të avancuara në procesin e integrimit në BE, bashkë me Podgoricën.

Në fakt po, Mali i Zi shënoi një ditë më parë një hap kyç që e çon më afër integrimit në BE. Brukseli njoftoi ngritjen e një tryeze pune për hartimin e traktatit të anëtarësimit të Malit të Zi në BE. Dukshëm, Shqipëria nuk ka se si të jetë mes vendeve më të avancuara, e aq më pak, në krye bashkë me Malin e Zi.

Procesi i integrimit të Shqipërisë mbetet i ngadalësuar në nivel teknik dhe politik në Bruksel. Unioni nuk ka ende një vendimmarrje të qartë mbi miratimin e raportit të IBAR. Ky i fundit është një raport vlerësimi i ndërmjetëm i Komisionit Evropian, i cili shërben si një nga elementët që ndikojnë në avancimin e kapitujve negociues dhe progresin e procesit të anëtarësimit.

Kthesa e Brukselit erdhi fill pasi Rama dhe socialistët përdorën kartonat e tyre në Kuvend për t rrëzuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e Belinda Ballukut. Mazhoranca mbrojti imunitetin e ish-zv.kryeministres edhe pse paralajmërimet e Brukselit kishin qenë të qarta: Balluku ishte një test kritik për Shqipërinë në luftën ndaj korrupsionit.

Një vlerësim pozitiv i IBAR-it do t’i hapte rrugë Shqipërisë drejt fazave të mëtejshme të negociatave, përfshirë mbylljen përfundimtare të kapitujve. Aktualisht, vendi nuk mund të avancojë pa këtë vlerësim pozitiv.

Shqipëria hapi zyrtarisht negociatat e pranimit me Bashkimin Evropian në korrik 2022, së bashku me Maqedoninë e Veriut. Grupi 1 – Bazat u hap në vitin 2024, ndërsa grupe të tjera u hapën gjatë vitit 2025, duke e çuar vendin në një fazë të fokusuar në përmbushjen e standardeve të përkohshme dhe avancimin e negociatave.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts