Integrimi i Shqipërisë edhe për Ramën, tashmë është një pikëpyetje e madhe. Në një takim me studim teksa foli për Bashkimin Evropian dhe rrugën e Shqipërisë drejt unionit, Rama shprehu pasiguri sa i përket integrimit.
“Po na buzëqesh fati sepse janë bashkuar të gjitha yjet dhe janë vendosur rresht në mbështetje të kësaj ëndrre, por nuk mjafton kjo. Ti mund t’i bësh të gjitha detyrat e shtëpisë kur je një vend i vogël dhe vendet e mëdha, nëse nuk e kanë në plan të të marrin me vete, ti nuk e kalon dot nivelin. Sot jemi në një kohë kur të gjithë vendet e mëdha të BE-së duan të na marrin me vete, sepse pas një periudhe shumë të gjatë, pa asnjë anëtar të ri të BE-së, Bashkimi Europian ka hapur derën”, deklaroi Rama.
Kjo pasiguri e Ramës vjen në një kohë kur vendet e Bashkimit Evropian ende nuk i kanë dhënë dritën jeshile IBAR-it, raporti kyç i cili i hap rrugë mbylljes së kapitujve të negociatave. Diplomatët e shteteve anëtare të BE-së kanë deklaruar se “presin që politika të mos pengojë sundimin e ligjit.” Kjo deklaratë erdhi pasi Kuvendi rrëzoi me votat e mazhorancës kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut.
Bashkimi Evropian, PE dhe KE e cilësuan edhe më herët si “test kritik” heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, sinjal që u anashkalua nga qeveria.
Mirëpo edhe pse qartazi Balluku po bëhet pengesë për integrimin e vendit, Rama ende nuk e pranon, por vijon ta mbrojë si një padrejtësi që po bëhet nga drejtësia.












