Vendimi i Kuvendit, me votat e shumicës socialiste për të rrëzuar heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, ngjalli reagime të ashpra te ndërkombëtarët.
Së fundmi, media gjermane Internationale Politik Quarterly në një artikull të gjatë mbi zgjerimin e Bashkimit Evropian, i është referuar edhe çështjes Balluku.
Në të shkruhet se, Berlini kërkon qartazi që ministrat e dyshuar në korrupsion, jo vetëm të shkakrohen nga qeveria, por edhe të hetohen sipas procedurave normale.
“Ndërkohë, Shqipëria do të vazhdojë të shihet nën një prag kritik derisa të marrë një Raport Vlerësimi të Përkohshëm të Standardeve (IBAR) pozitiv nga Komisioni Evropian. Berlini po i trajton rastet e fundit të korrupsionit të profilit të lartë në Tiranë më rreptë se shumë shtete të tjera anëtare të BE-së. Ai dëshiron që ministrat e dyshuar jo vetëm të shkarkohen nga qeveria, por edhe të hetohen siç duhet nga prokurorët specialë. Por, sapo Shqipëria të kalojë këtë raport IBAR, i cili është kushti formal për të filluar mbylljen e kapitujve të negociatave, ajo mund t’i bashkohet Malit të Zi, së bashku me Islandën, si pjesë e një marrëveshjeje pakete zgjerimi e cila mund të përfshijë gjithashtu një status të veçantë ‘para-anëtarësimi’ për Ukrainën dhe Moldavinë”, thuhet në artikull.
Ky vjen si një mesazh direkt dhe i prerë nga Gjermania, se rasti Balluku duhej të ishte trajtuar me prioritet dhe konform me ligjin. Bllokimi i kërkesës së SPAK dhe ruajtja e imunitetit të Ballukut shihet si cenim i shtetit të së drejtës, një pikë kyçe që BE kërkon të përmbushet gjatë procesit të integrimit.













