LajmePolitika

Berisha në Strasburg: Narkoshteti dhe partia-shtet po shkatërrojnë zgjedhjet në Shqipëri

Kryetari i Partisë Demokratike, Berisha deklaroi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg se zgjedhjet në Shqipëri po shkatërrohen nga dy fenomene: partia-shtet dhe narkoshteti.

Berisha theksoi se ndryshe nga zgjedhjet e lira që i shërbejnë shtetit të së drejtës, farsa zgjedhore prodhon efektin e kundërt.

“Unë dënoj fuqishëm ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vendeve të tjera, por jam këtu gjithashtu për të denoncuar dy faktorë të tjerë madhorë që mund t’i shkatërrojnë zgjedhjet. Njëri prej tyre është shteti-parti ose partia-shtet, ashtu siç u tha këtu nga vëzhguesit, se në Shqipëri zgjedhjet u zhvilluan në klimën e një partie-shtet.

Problemi i dytë madhor është narkoshteti. Narkoshteti është një gjendje në të cilën droga dhe krimi shndërrohen në vota, dhe votat më pas shndërrohen në krime. 28 deputetë kanë hyrë në parlament të mbështetur nga kartelët më të fuqishëm të drogës. Pas kësaj, atyre iu dhanë 450 leje për hotele, motele, ndërtime dhe resorte turistike. Më pas, mandatet e tyre u përdorën për të bllokuar tërësisht Prokurorinë”, deklaroi Berisha.

Kryedemokrati akuzoi se krimi i organizuar ka shndërruar drogën në vota dhe votat në mbrojtje politike, duke përmendur deputetë të mbështetur nga kartele droge dhe bllokimin e drejtësisë.

Ai akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama për pengimin e hetimeve dhe paralajmëroi për kapjen e institucioneve dhe keqpërdorimin e të dhënave shtetërore nga grupet kriminale.

“Prokuroria kërkoi arrestimin dhe heqjen e imunitetit të Zëvendëskryeministres. Edi Rama; Kryeministri, i quajtur Ramaduro i Madh, e bllokoi iniciativën e Prokurorisë dhe nuk po e lejon. Pse? Sepse në çdo tre rreshta të këtij dosjeje gjendet emri i tij. E njëjta gjë po ndodh me AKSHI-n, Agjencinë Kombëtare të Teknologjisë. Të gjitha të dhënat po eksportohen te bandat kriminale dhe banditët”, tha Berisha.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts