Në mes të hetimeve të FBI-së mbi kompaninë kineze CEFC dhe lidhjet e saj me familjen Biden, emri i Gal Luft, një shtetas izraelito-amerikan, shfaqet si një figurë kyçe. Ai thuhet se kishte njohuri të brendshme mbi aktivitetet e Hunter dhe Jim Biden, ndërsa përmendet edhe në dosjen që përshkruan rrjedhjen e informacionit të Charles McGonigal, duke e bërë Luft një aktor kyç në denoncimet dhe rrjedhjen e informacionit sekret.
Sipas një artikulli të “New York Post” të korrikut 2023, Gal Luft është përballur me akuza federale për trafik armësh, veprim si lobist i paregjistruar për Kinën dhe komplot për të shpërfillur sanksionet e SHBA-së ndaj Iranit. Prokurorët e Distriktit Jugor të Nju Jorkut raportojnë se Luft, i arrestuar në Qipro në shkurt 2022 dhe i arratisur pas lirimit me kusht, ra dakord në vitin 2015 që ish-zyrtari i Hong Kongut, Patrick Ho, të dërgonte 350,000 dollarë çdo vit për grupin e ekspertëve të Luft, Institutin për Analizën e Sigurisë Globale.
Në këmbim, Luft pranoi të “rekrutonte dhe edukonte” një ish-zyrtar të lartë amerikan për të bërë deklarata publike që favorizonin interesat kineze. Ndërsa Ho nuk përmendet me emër në aktakuzë, detajet përputhen me jetën e tij, përfshirë arrestimin në nëntor 2017 për akuza për ryshfet dhe pastrim parash.

Në foto: Gal Luft, izraelito – amerikani i përmendur në takimin Duçka – McGonigal
Luft ka pretenduar se çështja ndaj tij është një goditje politike, e cila synon të pengojë dëshminë e tij përpara Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve mbi pagesat që familja Biden ka marrë nga individë me lidhje me inteligjencën ushtarake kineze, si dhe mbi përdorimin e një burimi të FBI-së për të ndarë informacion të klasifikuar me CEFC-në.
Luft shtoi se Hunter kishte një burim të FBI-së, të quajtur “Njësyshi” (Charles McGonigal), i cili kishte informuar Ho dhe Ye mbi hetimin federal ndaj kompanisë kineze.
Në takimin McGonigal në prill 2017, Duçka i cili shërbente si kanal komunikimi mes tij dhe drejtuesve të CEFC-së, mori informacione se FBI-ja po shënjestronte Ho-në dhe CEFC-në, si dhe “Synimin 3”, me të cilin identifikohej Gal Luft.
Në fund të vitit 2015, Ye Jianming, kryetari i CEFC China Energy, dhe drejtori ekzekutiv Jianjun Zang besohet se janë takuar për herë të parë me Hunter Biden. Partneriteti kulmoi me pak më shumë se 5 milionë dollarë të transferuar në llogaritë e kontrolluara nga Biden në gusht 2017. Muajin pasardhës, Ho pranoi t’i paguante Hunter Biden 1 milion dollarë për të vepruar si këshilltar ligjor. Gjatë gjyqit të Ho-së, prokurorët hoqën të gjitha referencat për Hunterin dhe anëtarët e familjes së tij nga emailet midis Ho-së dhe bashkëpunëtorit të Hunterit, Vuk Jeremic.












