LajmePolitika

PD letër ambasadave: Opozita është e përjashtuar nga integrimi, Kuvendi është shndërruar në fasadë

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, përmes një raporti të detajuar të kryetarit Gazment Bardhi, u është drejtuar selive diplomatike në Shqipëri dhe Kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi, duke ngritur akuza për “degradim të standardeve demokratike” dhe kufizim të rolit të opozitës në Kuvend.

Në dokumentin voluminoz, PD pretendon se gjatë 6 muajve të fundit mazhoranca ka bllokuar një sërë mekanizmash parlamentarë, përfshirë komisione hetimore, interpelanca, mocione me debat dhe kërkesa për informacion, duke e cilësuar këtë si cenim të funksionimit demokratik të institucionit.

Sipas raportit, opozita është përballur me refuzimin e 5 kërkesave për komisione hetimore, 7 interpelancave me kryeministrin, 2 me zëvendëskryeministrin dhe një numër kërkesash të tjera me ministra, si dhe me mosmiratimin e disa mocioneve me debat.

Në dokument theksohet gjithashtu se në 6 muaj janë zhvilluar 26 seanca plenare, por vetëm një pjesë e tyre, sipas PD, kanë përfunduar normalisht, ndërsa në disa raste debatet janë ndërprerë para kohe ose projektligjet janë kaluar në votim pa diskutim të plotë parlamentar.

Raporti ngre shqetësime edhe për emërimet në institucionet e pavarura, duke pretenduar se janë realizuar në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca, si dhe për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

PD thekson gjithashtu se opozita është përjashtuar nga procesi i integrimit europian dhe nuk ka marrë informacion të plotë mbi axhendën dhe detyrimet e Kuvendit në këtë proces.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts