LajmePolitika

Rama i sheh kullat si “kartolinë suksesi” dhe jo si skemë pastrimi parash

Një reportazh i para një jave nga RAI3 prezantoi panoramën e Tiranës, si një kryeqytet që është kthyer në lavatriçen e parave të krimit. Reportazhi vinte në fokus shtimin e kullave dhe kantiereve në Tiranë, duke ngritur shqetësime për burimin e financimeve në një sektor që po zgjerohet me ritme të shpejta.

“Nëse ka një gjë që vihet re në shikim të parë është prania e kantiereve të ndërtimit për aq sa mund të shohë syri. Megjithatë, ky horizont modern, siç tregojnë të gjitha hetimet e skuadrës së përbashkët hetimore midis prokurorëve italianë dhe shqiptarë, fsheh një anë të errët”, citonte reportazhi.

Kjo nuk është hera e parë që mediat ndërkombëtare prezantojnë anën e errët të ndërtimeve të panumërta në kryeqytet, fakt të cilin kryeministri nuk e përtyp dot.

Rama, gjatë një bashkëbisedimi për rritjen e pagave në sipërmarrjet shqiptare, e cilësoi të padrejtë futjen e sektorit të ndërtimit në kornizat e krimit. Madje, kryeministri e cilëson stisje të qëllimshme n ga at të cilët nuk e pranojnë dot suksesin dhe transformimin e Shqipërisë.  

“Është një sektor që merr në mënyrë të vazhdueshme goditje, sulme e baltë dhe që lëndon një numër të madh protagonistësh të tij. Jo çdo gjë në sektorin e ndërtimit është e pastër, e qartë si drita e diellit dhe e çmuar si djersa e dhjetëra mijëra njerëzve që japin jetë këtij sektori. Por ama këtë sukses evident të Shqipërisë, transformim të Shqipërisë që sektori i ndërtimit e bën të dukshëm e të prekshëm, sa vjen në Shqipëri ta fusim në kornizën e krimit është diçka e neveritshme dhe e papranueshme. E pamundur për disa që ta pranojnë suksesin e Shqipërisë po punë e madhe fort”, deklaroi Rama.

Në të njëjtin reportazh, eksperti i ekonomisë Zef Preçi vuri në dukje për gazetarët italianë ‘boom-in’ e madh të ndërtesave e kullave dhe tregoi se qarkullimi i miliarda eurove jashtë sektorit bankar, dëshmon pastrimin e parave në ndërtim.

“Në 5 ose 6 vitet e fundit kemi konstatuar 4.7 miliardë euro që qarkullojnë jashtë kanaleve bankare. Kjo do të thotë se injektimi i parave të pista në ekonomi është vërtet shumë i lartë dhe grumbullimi i burimeve financiare në duart e segmenteve të krimit të organizuar është aq i madh, sa ata po përpiqen të investojnë në aktivitetet më fitimprurëse, si rrokaqiejt dhe ndërtesat, siç mund ta shihni nga këtu. Ndërtimi mbetet padyshim një nga sektorët më të dukshëm dhe njëkohësisht pa asnjë lidhje me kërkesën e tregut”, u shpreh ai për RAI3.

Kështu, ndërsa mediat ndërkombëtare dhe ekspertët flasin për një sektor ndërtimi të ekspozuar ndaj dyshimeve për pastrim parash dhe mungesë transparence, qeveria e kundërshton fort këtë narrativë, duke e cilësuar të padrejtë dhe të dëmshme për imazhin e Shqipërisë.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts