BotaLajme

Maduro, diktatori që hante biftek 1000 € te Nusreti, kur populli vdiste urie

Më 17 shtator 2018, një ndalesë e pazakontë e avionit presidencial venezuelian në Stamboll do të bëhej simbol i kontrastit ekstrem mes luksit personal dhe mjerimit kombëtar. Nicolas Maduro, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Cilia Flores, zbriti për disa orë në qytetin turk vetëm për të shijuar një darkë luksoze në restorantin e famshëm të Nusret Gökçe, i njohur si “Salt Bae”.

Ndërsa në Venezuelë mishi i kuq ishte kthyer në një mall të paarritshëm dhe fëmijët kërkonin ushqim në kazanët e plehrave, Maduro shijonte një biftek të veshur me ar, me një çmim që arrinte deri në 1 mijë euro. Pjata u shoqërua me një verë të rrallë franceze, Château Angélus 1998, me vlerë rreth 2 mijë euro, për t’u mbyllur më pas me një puro luksoze nga një kuti e personalizuar me emrin e tij.

Me buzëqeshje para kamerave, Maduro e përshkroi darkën si një “përvojë jetësore”, duke mishëruar në mënyrë të përsosur arrogancën dhe shkëputjen totale nga realiteti i një populli të zhytur në uri dhe varfëri. Ai ndihej i paprekshëm, i bindur se pushteti i tij do të ishte i përjetshëm.

Por kjo bindje do të shembej vite më vonë, kur një operacion i forcave speciale amerikane Delta Force në Karakas i dha fund karrierës politike të ish-shoferit të autobusit që ishte rritur politikisht në hijen e Hugo Chavez.

Nga lagjet e varfra te pushteti absolut
Nicolas Maduro García lindi më 23 nëntor 1962 në Karakas, në një familje të klasës punëtore. U rrit në lagjen El Valle, në periferi të kryeqytetit, si fëmija i dytë në një familje me katër fëmijë. Shkolla nuk ishte kurrë pika e tij e fortë dhe, sipas të dhënave, ai nuk arriti të diplomohej nga arsimi i mesëm.

Në vend të librave, ai u formua në botën e sindikalizmit dhe lëvizjeve të majta militante. Sipas ish-zyrtarëve ushtarakë venezuelianë, ai u përfshi herët në rrethin e aktivistëve radikalë dhe u lidh me struktura që vepronin në kufijtë e ligjit. Në moshë të re shërbeu edhe si truprojë për figura të rëndësishme politike, ndërsa një qëndrim njëvjeçar në Kubën e Fidel Castros do të rezultonte vendimtar për të ardhmen e tij politike.

Atje, sipas disa burimeve, ai u afrua me shërbimet sekrete kubane dhe u orientua drejt figurës së Hugo Chavez, liderit që po ngjitej me shpejtësi në skenën politike venezueliane.

Trashëgimtari i Çavizmit
Në vitet ’90, Maduro u bë pjesë aktive e lëvizjes që kërkonte lirimin e Chavez pas përpjekjes për grusht shteti. Marrëdhënia mes të dyve u forcua dhe në fund të dekadës, ish-shoferi i autobusit u shndërrua në një figurë kyçe të lëvizjes politike që do ta sillte Chavez në pushtet.

Karriera e tij u ndërtua gradualisht: deputet, kryetar i Asamblesë Kombëtare, ministër i Jashtëm për gjashtë vite dhe më pas nënkryetar. Pas vdekjes së Chavez në vitin 2013, Maduro u shpall pasardhësi i tij politik dhe fitoi zgjedhjet presidenciale me një diferencë të ngushtë.

Shtypje, varfëri dhe eksod masiv
Gjatë më shumë se një dekade në pushtet, Maduro forcoi një regjim autoritar, duke shtypur opozitën, duke manipuluar zgjedhjet dhe duke përdorur aparatin shtetëror për të konsoliduar kontrollin absolut. Retorika anti-amerikane, menaxhimi i dështuar ekonomik dhe lidhjet e ngushta me forcat e sigurisë e çuan vendin në kolaps.

Mbi dy milionë venezuelianë u detyruan të largoheshin nga vendi, ndërsa varfëria u bë realitet për shumicën dërrmuese të popullsisë. Një studim i vitit 2018 tregoi se dy të tretat e qytetarëve kishin humbur peshë për shkak të mungesës së ushqimit, ndërsa rreth 80% jetonin në kushte mjerimi.

Pavarësisht akuzave për dhunë, represion dhe narkoterrorizëm, Maduro vazhdoi të sundonte i bindur se ishte i paprekshëm – derisa historia e tij u mbyll ashtu siç kishte jetuar: i izoluar nga populli i vet dhe i rrëzuar nga pushteti që adhuronte më shumë se gjithçka.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts