Opozita shqiptare organizon sot një protestë kombëtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke kundërshtuar qeverinë dhe atë që e cilëson si keqqeverisje, korrupsion dhe abuzim me fondet publike.
Tubimi është paralajmëruar të nisë në orën 18:00 dhe pritet të mbledhë mbështetës nga e gjithë Shqipëria.
Në fokus të protestës janë akuzat për afera të mëdha infrastrukturore, me vëmendje të veçantë ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Opozita e akuzon Ballukun për shkelje të rënda ligjore në lidhje me projektin e Tunelit të Llogarasë dhe ndërtimin e Unazës së Madhe, çështje për të cilat SPAK e ka marrë zyrtarisht të pandehur.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj Ballukut, duke pretenduar se ajo ka vjedhur 50 milionë euro dhe zotëron pasuri të konsiderueshme, përfshirë dhjetëra apartamente, jahte dhe biznese tregtare.
Opozita kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Belinda Ballukut dhe përballjen e saj me drejtësinë. Paralelisht, SPAK i ka kërkuar Kuvendit heqjen e mandatit të saj me qëllim arrestimin, një kërkesë që ka hapur një tjetër përplasje të fortë politike.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama një ditë më parë paralajmëroi se mazhoranca do të bllokojë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut, duke e cilësuar atë si të pabazuar. Ky qëndrim ka shtuar tensionet politike dhe ka shërbyer si katalizator për protestën e sotme të opozitës.
Protesta pritet të zhvillohet nën masa të shtuara sigurie, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të ndikojë në zhvillimet e mëtejshme politike dhe institucionale në vend.











