Editorial

Vendimi i Gjykatës Europiane për Pasaportat e Arta dhe pasojat në Tiranë

Nga Genc Pollo

Si të vendosë Gjykata Europiane: po tha ajo që s’bëhet, edhe ne se bëjmë; po tha bëhet, ne do e bëjmë. Pak a shumë kështu foli  Edi Rama në Tiranë në mars 2023 në përfundim të mbledhjes Shqipëri/Bashkimi Europian (Këshilli i Stabilizim-Asociimit) në prani të z. Borrell, Përfaqësues i Lartë për Politikën e Jashtme dhe z. Varhelyi, Komisioner për Zgjerimin.

Fjala ishte për “pasaportat e arta” ose dhënien e shtetësisë të huajve kundrejt pagesës ose investimeve.

1-Pasaportat e arta si burim problematik i parave

Rama prej disa vitesh ishte angazhuar në ketë projekt duke marrë pjesë në evenimente ndërkombëtare kushtuar “shtetësisë përmes investimit” si p.sh. në Londër në nëntor 2019 ku e quajti idenë si “rruga e duhur” (the right way) dhe “diçka që ne duhet t’a bëjmë”. Ai sqaroi se Komisioni Europian ishte kundra nismës por këtu Brukseli gabonte.

Pasaportat e arta asokohe praktikoheshin në tre shtete të BE-së: në Bullgari, Qipro e Maltë. Brukseli, me të drejtë, e shikonte këtë si një kanal ku mund të depërtonin persona të dyshimtë e të rrezikshëm nga vende të treta përfshi edhe shtete armiqësore. Këto pasaporta ishin një dritare për rreziqe lidhur me sigurinë kombëtare, larjen e parave e korrupsionin.

Në fakt në Bullgari e Qipro ku plasën skandale, përfshi edhe video me politikanë që merrnin zarfe kundrejt  premtimit për pasaportë, demarshet e Brukselit çuan në mbylljen me ligj të këtij programi. Vetëm kryeministri maltez Muscat (Partia Laburiste) i cili e filloi ketë skemë në vitin 2014 i rezistoi Brukselit në emër “të sovranitetit e të interesit të popullit maltez”. Kjo rezistencë vazhdoi edhe mbas skandaleve me ryshfete, edhe mbasi Muscat dha dorëheqjen kur u provua përfshirja e qeverisë së tij në vrasjen e një gazetareje investigative. Kryeministri vijues Abela, i cili rezultoi se përfitonte personalisht përmes qiradhënies së banesës nga disa aplikantë rusë për shtetësi, vazhdoi po atë linjë.  Komisioni Europian u detyrua të padisë Maltën për shkelje të traktateve dhe abuzim me “qytetarinë europiane”. Në fakt Malta nuk jepte thjesht një pasaportë malteze por duke qenë anëtare e BE dhe e Zonës Schengen i ofronte çdo neomaltezi mundësi e privilegje në mbarë Europën.

Në Shqipëri Rama u detyrua të jepte deklaratën e mësipërme (mars 2023), por qeveria miratoi legjislacionin e plotë për shitjen e pasaportave përfshi edhe ngritjen e një agjencie të posaçme në Ministrinë e Brendshme dhe mundësinë që, precedent global ky, seleksionimi i aplikantëve të kryhej nga një kompani koncesionare (PPP). Pasaporta shqiptare nuk i kishte të tëra cilësitë e asaj malteze por ajo siguronte lëvizjen e lirë në Europë.

2-Verdikti i gjykatës kundër pasaportave të arta

Më 29 prill Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Europian mori vendim kundra Maltës e pasaportave të arta duke shënuar se përftimi i shtetësisë së BE-së nuk mund të rezultojë nga një transaksion tregtar. Një “komercializim” i tillë i shtetësisë është i papajtueshëm me konceptin bazë të shtetësisë së BE-së, siç përcaktohet nga traktatet. Ai shkel parimin e bashkëpunimit të sinqertë dhe rrezikon besimin e ndërsjellë midis shteteve anëtare në lidhje me dhënien e shtetësisë së tyre.

Duke pranuar se shtetet anëtare janë të lira të përcaktojnë kushtet sipas të cilave jepet shtetësia, gjykata vendosi se kjo duhet të bëhet në përputhje me ligjin e BE-së. Gjykata tha se shtetet anëtare nuk mund të japin shtetësi, dhe si rrjedhojë shtetësinë e BE-së, në këmbim të pagesave ose investimeve të paracaktuara. Shtetësia bazohet në “solidaritet, mirëbesim dhe reciprocitet të të drejtave e detyrimeve midis shtetit dhe qytetarëve të tij” dhe se skema e Maltës, e cila në fakt komercializon shtetësinë, është e papajtueshme me këto parime nënvizoi gjykata.

Vendimi i pret rrugën Maltës, por edhe çdo shteti anëtar në BE që të shesë shtetësinë. Siç e tha edhe opozita malteze, pasaportat tona “kanë vlerë, por jo çmim”.

Vështirë se Rama do të reagojë ndaj këtij zhvillimi dhe do të shpjegojë se si e pse donte të përdorte apo të abuzonte një arritje të realizuar  tre vjet para se ai të bëhej Kryeministër. Është interesante të vëresh se një projekt problematik e me pasoja negative për vendin (dhe BE-në) nuk do e ndalnin dot opozita, shoqeria civile, media apo gjyqësori. Kësaj radhe ndihma erdhi nga Komisioni Europian. Interesi i BE-së fatmirësisht përputhej strikt me interesin e Shqipërisë. Ndryshe nga rastet e ndonjë zyrtari nga Brukseli që verbalisht mund të shprehet në përgjithësi pro shtetit ligjor e kundër korrupsionit abstrakt por me gjeste e të tjera sinjalizon simpati për regjimin autoritar e kleptokratik të Edi Ramës.

Gjithsesi faleminderit Komisionit edhe për kaq.

(Autori është President i lëvizjes Paneuropa Shqipëri)

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts

Pse befasohemi nga dhuna?

Nga Lutfi Dervishi Dhunë në familje, dhunë në shkollë, dhunë në rrugë, në punë, në çdo skutë të shoqërisë. Dhunë fizike, psikologjike, verbale dhe institucionale. Jemi bërë spektatorë dhe herë-herë pjesëmarrës të një…

Thika e urimit të Ambasadës amerikane

Nga Nga Alfred Lela Gashtëmbëdhjetë ditë pas zgjedhjeve, Ambasada Amerikane në Tiranë i dha fund dje një suspanse shekspiriane, por nuk i shterri, qoftë edhe një grimë, interpretimet, dyshimet dhe mëdyshjet mbi atë çka tha.…