Kreu i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, ka vlerësuar atmosferën dhe pjesëmarrjen në takimin e së premtes në Kavajë, duke e cilësuar qytetin si “madhështor” për qëndrimin e tij të palëkundur pro-perëndimor.
“Kavaja mbrëmë ishte madhështore. Madhështia e saj qëndron në faktin se orientimi politik i qytetarëve të saj ka qenë gjithmonë pro-perëndimor”, u shpreh Roshi në një deklaratë publike.

Në një postim në Facebook, Roshi thekson se takimi në Kavajë u pasurua me mesazhe të rëndësishme që erdhën nga miq të Shqipërisë në organizata ndërkombëtare. Ndër to, një mesazh i veçantë ishte ai i eurodeputetit spanjoll, i cili sipas Roshit, përcolli qëndrimin e Brukselit për situatën aktuale në vend.
“Sipas eurodeputetit, Brukseli është i interesuar që Shqipëria të ndryshojë, sepse i nevoitet një ritëm i shpejtë dhe i vërtetë drejt integrimit europian, jo stagnimi dhe varfëria ku e ka futur qeverisja e Edi Ramës”, deklaroi Roshi.

Thirrja e kreut të PBKD, Artur Roshi për të gjithë qytetarët është që të zgjedhin ndryshimin dhe të mbështesin një vizion europian për të ardhmen e Shqipërisë, atë të PD-ASHM.












