Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka reaguar ndaj kërkesës së Partisë Demokratike mbi procesin e përgatitjes së dokumentacionit zgjedhor në qarqet Dibër dhe Berat. Në përgjigjen e dërguar përmes emailit zyrtar, KQZ ka publikuar të dhëna të detajuara mbi problematikat e evidentuara gjatë dy ditëve të fundit në këtë proces, duke sqaruar gjithashtu mënyrën e trajtimit të secilit rast.
Sipas KQZ, janë konstatuar tre lloje problematikash në këto dy qarqe:
1-Prodhimi i dy zarfeve “B” për të njëjtin zgjedhës – janë regjistruar 49 raste në Dibër dhe 475 raste në Berat. Këto raste identifikohen menjëherë nga operatori i KQZ dhe konfirmohen gjithashtu nga operatori i DHL. Të gjitha evidencat depozitohen në një kuti të veçantë, ndërsa sistemi i verifikimit skanon çdo kod QR për të parandaluar dërgimin e dyfishtë.
2-Probleme me adresën (mospërputhje me kodin postar) – janë shënuar 208 raste në Dibër dhe 240 në Berat. Këto identifikohen nga operatori i DHL nëpërmjet sistemit universal të transportit, i cili kërkon përputhje të plotë mes kodit postar dhe adresës së deklaruar. Çdo rast rishikohet individualisht në bazë të dokumentacionit të ngarkuar nga zgjedhësit (si faturë apo kontratë banese).
3-Vendosja e të njëjtit label adrese në dy zarfe të ndryshme – janë raportuar 3 raste në Dibër dhe 7 në Berat. Këto raste zbulohen në fazën përfundimtare të përpunimit dhe eliminohen para mbylljes së zarfeve në thasë, duke u rikthyer për rishqyrtim dhe rishënim korrekt të etiketave.
Në përgjigjen e dhënë, KQZ thekson se në çdo rast janë zbatuar mekanizmat e kontrollit të cilësisë, duke përfshirë operatorët e KQZ-së dhe të DHL-së, si dhe stafin përgjegjës për grumbullimin e materialeve në thasë. Sipas institucionit, falë këtyre kontrolleve, asnjë nga problematikat e identifikuara nuk ka shkaktuar dërgimin e dyfishtë të zarfeve apo gabime në adresim.
“Raporti i detajuar për çdo ditë pune dhe për çdo qark të përpunuar do të dërgohet me email. Për çdo sqarim tjetër, mbetemi në dispozicion,” përfundon komunikata e KQZ-së.
Reagimi i plotë:
Të dhënat e kërkuara për këto dy ditë përpunim e përgatitje dokumentacioni zgjedhor, përkatësisht qarqet Dibër dhe Berat janë si vijon:
i) prodhimi i dy zarfeve “B” për të njëjtin zgjedhës: Dibër 49; Berat 475;
ii) problemi i adresës (mospërkimi me kodin postar): Dibër 208; Berat 240;
iii) vendosja e të njëjtit label adrese në dy zarfe të ndryshme: Dibër 3; Berat 7;
Rasti (i) identifikohet menjëherë tek operatori i KQZ dhe verifikohet gjithashtu tek operatori DHL. Evidencat e këtij rasti depozitohen në sallë në një kuti të posaçme (foto bashkëlidhur këtij e-maili Dibra D dhe Berat D). Rasti i parë dje u kap ne Qarkun Dibër nga operatori i KQZ. Moduli i verifikimit të zarfave në nisje i KQZ (që furnizon me të dhëna edhe dashboardin publik në kohë reale alerton operarorin nëse një QR është skanuar më parë.
Rasti (ii) identifikohet nga operatori i DHL pasi sistemi universal i shipping validon kodin postar, ky i fundit duhet të përkojë me shtetin/qytetin etj., të deklaruar. Këto raste vendosen në një kuti të posaçme (foto bashkëlidhur këtij e-maili Dibra adresa dhe Berat adresa). Këto raste do të verifikohen për çdo zgjedhës sipas dokumentit provues të adresës që është ngarkuar në PER (përkatësisht fature, kontrate etj.,) dhe do të ri-tentohet të validohet me sistemin postar adresa e saktësuar sërish.
Rasti (iii) identifikohet nga operatori DHL pasi ka përfunduar procesi i përpunimit në tavolinë, pra përpara vendosjes në thes (sikundër e konstatuat edhe ju). Këto zarfa të shërbimit postar së bashku me label të adreses grisen/hidhen dhe seti rikthehet në një nga tryezat e përgatitjes me qëllim që të riskanohet nga DHL për të printuar label-in e saktë.
Në çdo rast, 3 tipologjitë e sqaruara më sipër, për shkak të elementëve të kontrollit të cilësisë nga çdo fazë (operator KQZ, operator DHL, Staf i grumbullimit në thes përpara mbylljes së thesit) mitigohen pa shkaktuar pasojën e dërgimit të dy zarfave tek një zgjedhës.
Këtë raport, do ta keni me email në fund të çdo dite pune për qarqet e përpunuara.
Për çdo sqarim tjetër të nevojshem mbetemi në dispozicion.













