Më 16 mars 2023, Edi Rama ndodhet në një konferencë shtypi me Zëvendëspresidentin e Komisionit Europian, Josep Borrell dhe Komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, tema është integrimi i Shqipërisë në BE.
Rama duket i tensionuar teksa i hakërrehet një gazetareje, e cila e pyet nëse ka një datë për integrimin në BE të shqipërisë.
“Keni lexuar apo studiuar historinë e integrimit, dhe keni parë ndonjë datë për filan vend? Nuk ka ndodhur kurrë? Për çfarë dhe kujt ia kërkoni këtë datë?” I drejtohet kryeministri shqiptar gazetares me ton të lartë, ndërkohë edhe dy përfaqësuesit e BE-së duket se miratojnë pohimin se nuk mund të ketë një datë për anëtarësimin.
Është i njëjti Edi Ramë, dy vjet më vonë (2025) i cili në pamundësi për të dhënë llogari para shqiptarëve për varfërinë, korrupsionin, shpopullimin, krimin, ka menduar të mos bëjë fare program e premtime, pasi nuk është qëllimi i tij mirëqenia e shqiptarëve, por plaçkitja e pasurive dhe resurseve të vendit dhe ka paraqitur para shqiptarëve një sllogan të gënjeshtërt, Shqipëria në BE në 2027. Pra, Rama i 2023, që bërtiste se s’ka datë, kujt i kërkoni datë…, duket se ka harruar, ose më saktë i merr njerëzit për budallenj dhe në 2025 ka gjetur datën, do u jap pasaportën në 2027, thotë.
Edhe pse, gjithë vendet e BE-së, me në krye Gjermaninë, e cila së fundi e ka sanksionuar në marrëveshjen e koalicionit që nuk do ketë më zgjerim deri në riformatimin e politikave të unionit, Rama ka vendosur të shpikë një supermashtrim për shqiptarët. Ka nxjerrë një datë nga fantazia e tij për të mashtruar shqiptarët.
Nëse nuk e besoni, dëgjojeni vetë se si Rama përgënjeshtron Ramën:
Rama: “Nuk e di si të përgjigjem se janë pyetje që të çarmatosin dhe përsëriten. Keni lexuar apo studiuar historinë e integrimit, dhe keni parë ndonjë datë për filan vend? Nuk ka ndodhur kurrë? Për çfarë dhe kujt ia kërkoni këtë datë? Data vendoset kur përmbushen kushtet e brendshme dhe të jashtme, dhe këtë nuk mund ta parashikojë askush. Ne nuk vijmë nga një histori e ndonjë vendi që janë sot anëtarë të BE, ata kanë pasur shtet kur ne nuk dinim ku ishim, dhe ndërtimi i një shteti funksional në të gjitha aspektet nuk është një fjalë gojë. Me këtë BE që kemi sot, mund të anëtarësohemi brenda kësaj dekade.”/SyriNET












