Lajme

Tarifat e Trump shkaktojnë përplasje në Kosovë/ Osmani: Hiqni taksën për mallrat amerikane! Ministri i Financave: Kompetencë e jona

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i ka propozuar qeverisë së Kosovës të heqë tarifën doganore 10% në fuqi për mallrat e importuar nga SHBA. Osmani kërkesën e saj e bëri përmes postimit në rrjetet sociale. Presidentja e ndjek miratimin e tarifave doganore nga Trump me të paktën 10 përqind për 180 shtete në botë përfshirë edhe Kosovën. Osmani e konsideron këtë veprim një pozicionim të duhur diplomatik.

Osmani e tha se më shumë se një lëvizje ekonomike, ky është një objektiv i politikës së jashtme, duke riafirmuar përkushtimin e tyre të qëndrueshëm ndaj aleancës Kosovë-SHBA, e ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta të lirisë dhe dekada të mbështetjes së palëkundur

Jam e bindur se kjo lëvizje do të hapë mundësi të reja për krijimin e vendeve të punës, shkëmbimin e teknologjisë dhe rritjen ekonomike afatgjatë. Më shumë se një lëvizje ekonomike, ky është një objektiv i politikës së jashtme, duke riafirmuar përkushtimin tonë të qëndrueshëm ndaj aleancës Kosovë-SHBA, e ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta të lirisë dhe dekada të mbështetjes së palëkundur”, tha Osmani.

Por Ministri i Financave Hekuran Murati, reagoi ashpër ndaj kërkesës së Vjosa Osmanit. Sipas tij kërkesa shkel kompetencat e ekzekutivit dhe se nuk duhej të ishte bërë publike menjëherë pas paraqitjes zyrtare të saj. 

Secili shtet serioz, këto çështje i trajton larg mediave, dhe publiku njoftohet kur të merret vendimi. Për më tepër, politikat fiskale bien në fushëveprimin e ekzekutivit, konkretisht ministrisë përgjegjëse për financat. Çështja e marrëveshjes për tregti të lirë është përsëritur nga Kryeministri Kurti edhe në takimet që ka zhvilluar me ish ambasadorin amerikan Hovenier”, u shpreh Murati.

Gjithashtu në presidencën e Kosovës reagimin e ministrit të financave e cilësuan skandaloz.

E turpshme, skandaloze, me mungesë respekti bazik institucional e me mungesë të njohurive bazike se si udhëhiqet shteti e mbi të gjitha me mungesë të gatishmërisë minimale që të punohet e bashkëpunohet në interes të Kosovës është deklarata e tij e sotme. Hiqni tarifat e paarsyeshme ndaj aleatit tonë kryesor, dhe lërini deklaratat e turpshme dhe fëminore”, u shpreh Bekim Kupina, këshilltar për mediat në Presidencën e Kosovës.

Presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur tarifat e reja ndaj partnerëve tregtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ka thënë se ato do të hyjnë në fuqi në mesnatë (nga e enjtja). Në listat e publikuara të shteteve që SHBA-ja u ka vënë tarifa, figuron edhe Kosova me 10 për qind tarifa. Edhe vendet e tjera të rajonit figurojnë me këtë përqindje tarifash: Shqipëria 10%, Mali i Zi 10%, Serbia 37%, Maqedonia e Veriut 33%, Bosnja e Hercegovina 35%. 

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts