Lajme

Gripi i shpendëve/ Rreth 500 mijë pula të ngordhura në Durrës, MB: Do të groposen ose digjen…

Rreth 500 mijë pula kanë ngordhur si pasojë e sëmundjes së rënë pak javë më parë në vend. Ministria e Bujqësisë njofton se janë marrë masat e menjëhershme për eliminimin dhe asgjësimin e sigurt të “497,986 krerëve shpendë të ngordhura, që janë ndikuar nga sëmundja e Influencës Aviare në dy stabilimente në zonën e Durrësit. Këto masa janë ndërmarrë në përputhje me aktet ligjore dhe rregullat sanitaro-veterinare në fuqi”.

Ministria e Bujqësisë ka siguruar që procesi i asgjësimit të shpendëve të ngordhur do të kryhet përmes groposjes apo djegies së kadavrave në qendrat e autorizuara për përpunim. Ky proces është i mbikëqyrur nga veterinerët dhe autoritetet përkatëse, duke garantuar respektimin e standardeve sanitaro-veterinare dhe mbrojtjen e mjedisit.

Përveç asgjësimit të shpendëve të ngordhura, është përfshirë edhe trajtimi i mbetjeve të tjera shtazore si vezë dhe ushqime të mbetura, të cilat do të përpunohen sipas rregullave të legjislacionit në fuqi, duke përdorur metoda të sigurta si incenerimi ose transformimi për prodhimin e fertilizantëve organikë.

Njoftimi i plotë i MB:

Në kuadër të transparencës dhe informimit të publikut Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural sqaron se referuar situatës së Influencës Aviare në dy stabilimente në zonën e Durrësit, janë marrë masat e mënjëhershme për eleminimin dhe asgjësimin e sigurtë të 497 986 krerëve shpendë të ngordhura, me një nga metodat bazuar në aktet ligjore në fuqi, si më poshtë:
Në zbatim të nenit 80 të Ligjit nr.10465, datë 29.09.2011 “Për shërbimin Veterinar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar i cili parashikon :
• Groposjen ose djegien e kadavrave të kafshëve në qendrat e përpunimit, pas ngordhjes, sipas rregullave sanitaro-veterinare.
• Qendrat përcaktohen nga organet e qeverisjes vendore, me pëlqimin e shërbimit veterinar rajonal dhe agjencive shtetërore përgjegjëse për mjedisin.
• Groposja ose djegia e kadavrave të kafshëve në qendrat e përpunimit, post mortem, kryhet nën mbikëqyrjen e veterinerit zyrtar.
Në zbatim të Urdhërit Nr. 213, datë 4.03.2025 “Për disa shtesa dhe ndryshime në urdhrin nr. 411, datë 20.9.2022 “Për miratimin e Planit të Kontigjencës për Sëmundjen e Gripit të Shpendëve (Influenca aviare)” i cili parashikon:
• Eliminimin nëpërmjet groposjes dhe në një qendër përpunimi i karkasave, vezëve mbeturinave shtazore, ushqimit, plehut sipas legjislacionit në fuqi.
• Procesi i asgjësimit të ngarkesave të kafshëve të ngordhura ose të eliminuara në qendrat e përpunimit, ndiqet nga veterineri zyrtar i Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, një përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, një përfaqësues nga Drejtoria Rajonale e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve dhe një përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
• “Asgjësimi/trajtimi i kadavrave kryhet:
 me groposje;
 në një qendër përpunimi (rendering) që i asgjëson/trajton kadavrat e kafshëve:
– me incenerim;
– me eliminim në një lendfill të autorizuar pas transformimit nëpërmjet sterilizimit nën presion;
– si lëndë djegëse pas përpunimit;
– për prodhimin e fertilizantëve organikë ose përmirësuesve të tokës pas përpunimit nëpërmjet sterilizimit nën presion kur është e mundur dhe bëhet markimi i përhershëm i materialeve përfundimtare”

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts