Bota

Tarifat: Çfarë bëri Trump dhe pse kanë rëndësi për botën

BBC është ndalur në një artikull të gjatë pasi presidenti amerikan Donald Trump shpalli tarifa për mallrat nga vendet rreth botës, në atë që ai vetë e quajti “Dita e Çlirimit”.

Sipas tij, kjo lëvizje do ta bëjë Amerikën të begatë sërish, por ekonomistët paralajmërojnë se çmimet mund të rriten për amerikanët dhe frika për një luftë botërore tregtare është rritur.

Çfarë janë tarifat dhe cilat vende po shënjestron Donald Trump?

Tarifat janë taksa që vendosen mbi mallra që importohen nga vende të tjera. Kompanitë që sjellin mallrat në vend i paguajnë qeverisë një shumë, zakonisht një përqindje të vlerës së mallit. Trump ka vendosur një tarifë “dysheme” prej 10% të të gjitha importeve në SHBA, dhe kjo është ajo që do të përballet edhe Shqipëria.

Por janë 60 vende të cilat janë goditur me tarifa deri në 50% duke përfshirë Kamboxhian, Vietnamin, Malajzinë dhe Bangladeshin. Vendet në Bashkimin Europian do të përballen me tarifa 20%. Ato do të hyjnë në fuqi për pak ditë.

Trump po ashtu konfirmoi edhe tarifat e shpallura më herët mbi mallra specifike, duke përfshirë taksë 25% mbi çelikun, aluminin dhe makinat e prodhuara jashtë.

Pse është kaq i prirur Trump që të përdorë këto tarifa?

Trump thotë se “tarifa” është fjala e tij e preferuar dhe që prej vitit 1980 ka patur një besim të fortë se taksat mund të nxisin ekonominë amerikane.

Ai beson se do të inkurajojnë konsumatorin amerikan që të blejë më shumë mallra vendase. Trump dëshiron që të zbusë edhe boshllëkun mes vlerës së mallrave amerikane të importuara dhe eksportuara.

Shtëpia e Bardhë argumenton se masat ishin të nevojshme sepse vendet e tjera po përfitonin nga SHBA-ja duke vendosur tarifat e tyre të larta dhe barriera të tjera tregtare.

“Për dekada, vendi ynë është plaçkitur, përdhunuar nga kombet afër dhe larg, si miq ashtu dhe armiq”, tha Trump pasi shpalli tarifat.

Por siç shkruan BBC, Trump po merr një risk të madh duke vendosur në “lojë” presidencën e tij. Nëse del me sukses lëvizja mund të riformojë thelbësisht rendin ekonomik botëror. Trump premton se do të rindërtojë prodhimin amerikan dhe do ta bëjë vendin më të mbështetur tek vetja.

Por rrezikon të largojë aleatët, pasi ekonomistët paralajmërojnë se mund të rrisë çmimet dhe të sjellë një recesion global. Redaktori për ekonominë në BBC, Faisal Islam e sheh të pashmangshme një luftë botërore tregtare të ngatërruar. Vendimi i Trump për të çuar nivelin e tarifave përtej atyre që janë parë në vitet 1930 do të sjellin ndryshime të mëdha në tregtinë botërore, sipas tij.

A do të rriten çmimet për konsumatorët amerikanë?

Ekonomistët paralajmërojnë se kjo ka të ngjarje të ndodhë sepse kompanitë do ta kalojnë koston e rritur të mallrave të importuara tek klientët. Ata gjithashtu mund të zvogëlojnë importet që do të thotë më pak produkte të disponueshme, pra duke vënë në presion të mëtejshëm çmimet.

Për të rritur të ardhurat që Trump shpreson, konsumatorët amerikanë duhet të “gëlltisin” rritjet e çmimeve dhe të vazhdojnë të blejnë artikuj të prodhuara në vende të tjera në sasi të ngjashme si tani, thotë një tjetër gazetare e ekonomisë në BBC, Dharshini David. Sipas saj, historia ka treguar se viktimat e vijës së parë të “luftës” janë konsumatorët për shkak të zgjedhjeve të reduktuara dhe çmimeve më të larta.

Makinat, lëndët drusore që përdoren për të ndërtuar shtëpitë, birra, uiski, tekila dhe avokado janë ndër mallrat që mund të bëhen më të shtrenjta.

Si reagoi bota ndaj tarifave të Trump?

Tarifat tronditën bursat dhe kanë qenë të shumtë udhëheqësit botërore që dënuan këto masa. Shefja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tha se “pasojat do t’i bien miliona njerëzve rreth globit”.

Vendet e BE-së po finalizojnë një përgjigje me tarifa 25% për çelikun dhe aluminin ndaj SHBA-së dhe mund të shpallin të tjera masa. Komisioni Europian ka premtuar të mbrojë bizneset e saj duke përfshirë industrinë e makinave në Gjermani, prodhimin e mallrave luksoze në Itali dhe prodhimin e verës në Francë.

Kina ka premtuar një “rezolutë me kundërmasa” që me shumë mundësi do të dëmtojnë kompanitë amerikane që përpiqen të shesin në tregun e madh kinez. Sidoqoftë, korrespondenti i BBC-së në Kinë, Stephen McDonell thotë se presidenti Xi Jinping mund të përfitojë nga tarifat e Trump pasi e “shet” vendin e tij si një “kampion të tregtisë së lirë”.

Kryeministri britanik Keir Starmer ka pranuar se ekonomia do të dëmtohet nga tarifat e fundit, por premtoi se do të reagojë gjakftohtë. Sekretari për Biznesin i tha deputetëve britanikë se do të shikojë tarifa reciproke kundër produkteve amerikane.

Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney tha se do t’i përgjigjet tarifave të SHBA-së shpejt, “me qëllim dhe me forcë” për të mbrojtur punëtorët dhe forcuar ekonominë.

Çfarë impakti ka në ekonominë amerikane dhe tregtinë botërore?

Shanset që ekonomia amerikane të futet në recesion u rritën me 50% pas tarifave të Trump, sipas ish-shefit të FMN-së, Ken Rogoff.

Më herët Donald Trump ka refuzuar të përjashtojë mundësinë e një recesioni.

Ka shqetësime se tarifat mund të ndikojnë në shpenzimet e konsumatorëve amerikane, një pjesë e madhe në ekonominë globale.

“Në Azi tarifat do të thyejnë modelet e bizneseve për mijra kompani, fabrika dhe me shumë mundësi kombeve të tëra”, thotë gazetari i BBC Faisal Islam./Shkrim nga BBC

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts