Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Itali, ku studentja shqiptare Ilaria Sula, 22 vjeç, është gjetur e vdekur brenda një valixhe në një zonë pyjore në komunën Poli, në provincën e Romës.
Ilaria ishte shpallur e zhdukur prej disa ditësh, që nga data 25 mars, kur prindërit e saj, të cilët jetojnë në Terni, raportuan zhdukjen pranë autoriteteve policore.
Këtë mëngjes, Policia e Romës ka njoftuar arrestimin e të fejuarit të saj, një shtetas me origjinë filipinase, i cili dyshohet si autor i këtij krimi të rëndë. Pas disa orësh marrje në pyetje, prokurorët italianë arritën të zbardhin ngjarjen dhe të identifikojnë vendndodhjen e trupit.
Ilaria Sula ishte studente në degën e statistikës në Universitetin ‘La Sapienza’ të Romës dhe ndodhej në vitin e tretë të studimeve.
Më 25 mars, rreth orës 21:30, ajo kishte dalë nga shtëpia dhe nuk ishte kthyer më.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik, ndërsa hetimet po vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e këtij krimi tragjik.













