LajmeSociale

‘Infeksioni me Salmonelë është serioz’, Panariti: Në markete ndodhet mish i ndotur, asnjë e dhënë nga AKU

Ish-ministri i Bujqësisë Edmond Panariti ka paralajmëruar seriozitetin e infeksionit me salmonelë, duke theksuar se ky është një problem shqetësues për shëndetin publik në Shqipëri. Ai bëri të ditur se, përveç salmonelës të njohur, ekziston edhe një “Salmonelë Dibra,” e zbuluar nga një bakteriolog shqiptar.

Sipas Panaritit, ky infeksion mund të ketë depërtuar në zinxhirin ushqimor, duke u ofruar konsumatorëve nëpërmjet filetove të ngrira të pulës me origjinë nga Brazili. Ky rast është veçanërisht shqetësues për popullatën shqiptare, që ka një strukturë demografike të ndryshuar, me një numër të madh të të moshuarve dhe fëmijëve – dy grupe të vulnerabël ndaj infeksioneve.

Panariti theksoi se, megjithë mbikëqyrjen e Autoritetit të Ushqimit dhe Veterinarisë, nuk ka asnjë garanci se kriteret e përpunimit termik të ushqimit respektohen, çka mund të lejojë kalimin e baktereve nëpër restorante dhe lokale ushqimore. Ai e cilësoi si një problem të rëndë depërtimin e këtij produkti të kontaminuar nga vendet jashtë Bashkimit Europian dhe SHBA-së, duke e quajtur këtë situatë si të “pafalshme.”

Gjithashtu, Panariti vuri në dukje se për shkak të shpërndarjes të gjerë të këtij mishi të ndotur, ndjekja e tij është e pamundur, duke e bërë më të vështirë identifikimin dhe ndërprerjen e këtij problemi shëndetësor. Ish-ministri apeloi për tregje të certifikuara dhe sisteme të gjurmimit të stabilizuar për importimin e produkteve ushqimore, si një masë parandaluese ndaj këtij infeksioni të rrezikshëm.

Edmond Panariti: Për kuriozitetin tij, duhet të dini se ka edhe një Salmonelë shqiptare, quhet e Salmonela Dibra. Është zbuluar nga një bakteriolog shqiptar. Tani le ti kthehemi situatës konkrete. Infeksioni me Salmonelë është infeksion serioz. Pra nuk kam nevojë unë, që dikush tjetër të rrijë të bëjë apologji, sidomos nga persona që nuk e njohin bakterin. Pra fakti që ky bakter ka depërtuar në zinxhirin ushqimor, pra është ofruar në rrjetin tregtar të Shqipërisë, nëpërmjet filetove të ngrira të pulës me origjinë nga Brazili është një diçka shumë serioze.

Dhe po të kemi parasysh diçka që struktura demografike e Shqipërisë përbëhet nga moshë e moshuar, sepse pjesa aktive për fat të keq e kanë braktisur vendin, dhe nga fëmijë që janë dy kategori të popullatës vulnerabël, të prekshëm sepse edhe shkalla e imunitetit të tyre tek fëmijët është në formim, ndërsa tek të moshuarit padyshim është në rënie, kjo e bën shumë shumë serioze infeksionin e mundshëm të këtyre kategorive të popullsisë me Salmonelë. Aq më tepër që Salmonela nëpërmjet filetove të pulës ka me shumë probabilitet ka përfunduar edhe në tavolinat e restoranteve, të cilët pavarësisht nga mbikëqyrja e AKU askush nuk ka garanci që respektohen kriteret e duhura të përpunimit termik që të garantojnë asgjësimin e këtij bakteri.

Pra kjo është një diçka shumë serioze dhe ajo që përmenda pak më përpara, është e pafalshme në radhë të parë për një ngarkesë që vjen nga një vend jo i BE dhe as i SHBA, por vjen nga vende të treta. Dhe që në këtë mes ngrihet flamuri i kuq, lejohet të depërtojë në treg pa pritur rezultatin e analizave. Pra ne tani faktikisht diskutojmë postfactum, sepse një pjesë e konsiderueshme e mishit të ndotur me Salmonelë ndodhet në tregun shqiptar dhe kjo është një gjë shumë e rëndë. Natyrisht nuk njoh detajet e hetimit. Këtu u diskutua pastaj për gjëra të tjera, por fakti është se për konsumatorët shqiptarë është problem që në markete ndodhet mish i ndotur me Salmonelë.

Dhe në nuk jemi tashmë në gjendje edhe ta gjurmojmë atë, sepse po kaloi ne treg një produkt i ndotur është pothuajse e pamundur ta ndjekësh pasi shpërndarja e tij mund të jetë nga të katër anët. Mund të jetë në Fast Fod-e, mund të jetë nëpër restorante mund të jetë në kuzhinat e  konsumatorëve dhe gjurmimi bëhet pothuajse i pamundur. Ne duhet tu drejtohemi tregjeve të certifikuara që kanë sistemet e gjurmimit të stabilizuar për të importuar./SyriNet

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts