LajmePolitika

Reuters: Rama nën presionin e protestave, përdor BE-në si “mburojë” për pushtetin

Kryeministri Edi Rama ka refuzuar thirrjet për dorëheqje, duke deklaruar se protestat studentore që kanë përfshirë Tiranën dhe qytete të tjera të vendit nuk po sfidojnë qeverinë e tij, por rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Në një deklaratë të drejtpërdrejtë në Facebook, Rama u bëri thirrje qytetarëve të mendojnë për pasojat që, sipas tij, mund të kenë protestat për integrimin europian të vendit.

Sipas një artikulli të agjencisë ndërkombëtare të lajmeve Reuters, protestat kanë vijuar prej gjashtë ditësh, të nxitura nga pakënaqësitë për korrupsionin e perceptuar qeveritar, mungesën e vendeve të punës dhe problemet me cilësinë e arsimit. Demonstruesit kanë kërkuar largimin e kryeministrit, ndërsa gjatë përplasjeve janë sulmuar ndërtesa qeveritare dhe banka, janë thyer vitrina dyqanesh dhe janë hedhur gurë drejt policisë.

Të dielën, mijëra protestues u mblodhën para Ministrisë së Arsimit, ku situata u përshkallëzua në përplasje me forcat e policisë. Sipas Reuters, efektivët iu përgjigjën hedhjes së gurëve me gaz lotsjellës, ujëhedhëse dhe plumba gome.

Agjencia vëren se protestat përbëjnë sfidën më të madhe deri më tani për Ramën, i cili është në pushtet që prej vitit 2013 dhe fitoi mandatin e katërt vitin e kaluar. Ato vijnë pas disa muajsh demonstratash kryesisht paqësore gjatë verës, kundër një projekti luksoz zhvillimi në bregdet, të mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.

“Unë nuk jam ai që po sfidohet, qeveria nuk po sfidohet, as shumica qeverisëse apo partia që fitoi zgjedhjet nuk po sfidohen. Ajo që po sfidohet është një rrugë, një mision”, deklaroi Rama në një komunikim të drejtpërdrejtë në Facebook.

Kryeministri shtoi se qytetarët duhet të reflektojnë për drejtimin që dëshirojnë për vendin, duke pyetur: “Shqiptarët duhet të mendojnë shumë qartë: A duan këtë, a duan atë, apo duan Bashkimin Europian?”

Rama fton studentët në dialog, ndërsa hiqen gurët para Kryeministrisë

Përpara protestës së së dielës, Rama ftoi studentët në bisedime. Ndërkohë, makineritë e rënda nisën heqjen e gurëve të shtrimit jashtë zyrës së kryeministrit, në qendër të Tiranës.

Elton Prendi, 40 vjeç, banor i Tiranës, e interpretoi këtë veprim si një përpjekje për t’ua vështirësuar protestuesve mbrojtjen gjatë përplasjeve me policinë.

“Kjo nuk do t’i ndalë aspak protestuesit. Kjo bëhet vetëm për të hequr çdo mundësi që protestuesit të mbrohen nga policia. Vetëm për këtë bëhet”, tha ai për Reuters.

Ndërkohë, Komisioni Europian dënoi përdorimin e dhunës në Tiranë dhe qytete të tjera, duke mirëpritur angazhimin e autoriteteve për të mbrojtur të drejtën e qytetarëve për të protestuar.

Në zhvillime të tjera, kancelaria austriake njoftoi se Rama kishte anuluar një takim me kancelarin e Austrisë, Christian Stocker, i cili ishte planifikuar të zhvillohej të hënën në Vjenë.

Korrupsioni dhe akuzat për ndërhyrje të huaj

Reuters thekson se skandalet e korrupsionit kanë dëmtuar prej vitesh imazhin e Shqipërisë. Sipas analistëve të cituar nga agjencia, vendi është kthyer në një qendër për grupet kriminale që synojnë të pastrojnë para të përfituara nga trafiku i drogës dhe i armëve.

Rama, nga ana e tij, ka deklaruar se qeveria e tij po lufton korrupsionin më shumë se kurrë më parë. Shqipëria dhe Mali i Zi janë ndër vendet që kanë avancuar në procesin e integrimit europian, ndërsa Tirana synon anëtarësimin në BE deri në vitin 2030.

Kryeministri ka fajësuar gjithashtu interesa të huaja të papërcaktuara për organizimin e protestave, si dhe për atë që ai e cilësoi si një përpjekje për sulm me dron ndaj zyrës së tij gjatë kësaj jave.

“Zoti e di se cilat do të jenë pasojat. Nuk ka të rinj, studentë apo të mitur që do të mendonin qoftë edhe për një çast të zbatonin këtë plan. Këtu kemi të bëjmë me një dorë të huaj”, deklaroi Rama.

Sipas të dhënave të policisë të raportuara nga Reuters, 388 persona janë akuzuar për vepra penale në lidhje me demonstratat, ndërsa dhjetëra efektivë policie dhe protestues kanë mbetur të plagosur.

Leave A Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts