Media amerikane Eurasiare View ka raportuar për zhvillimet e fundit në Shqipëri lidhur me hetimin ndaj drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.
Në një artikull të publikuar së fundmi, Eurasia Review shkruan se Hyseni është vendosur në arrest shtëpie dhe është pezulluar nga detyra, ndërsa SPAK e heton për dyshime për nxjerrje sekretesh shtetërore dhe ndihmë ndaj një personi të përfshirë në një vepër penale, në kuadër të çështjes së tenderëve të AKSHI-t.
Ndër rreshta, media amerikane thekson se rasti përbën krizën më të rëndë të sigurisë kombëtare.
Shkrimi i plotë:
SPAK ka vendosur nën masën e arrestit në shtëpi dhe ka pezulluar nga detyra drejtoreshën e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, e cila prej vitit 2023 drejton SHISH. Ajo po hetohet për dyshimet se ka nxjerrë sekrete shtetërore dhe ka ndihmuar një person të përfshirë në një vepër penale, në kuadër të hetimeve për skandalin e tenderëve të AKSHI-t.
Në të njëjtën çështje është arrestuar edhe një drejtues sektori në Policinë Shkencore, ndërsa është marrë në pyetje ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Sipas raportimeve mediatike, banesa e tij është kontrolluar nga autoritetet.
Hetimi lidhet me tenderët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), institucioni që administron sistemet e teknologjisë së informacionit të shtetit dhe portalin e shërbimeve publike e-Albania.
Sipas SPAK, drejtorja e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, dhe zëvendësja e saj, Hava Delibashi, dyshohet se kanë favorizuar në mënyrë të paracaktuar kompani të caktuara në procedurat e prokurimit. Bëhet fjalë për 19 procedura me një vlerë totale prej rreth 5.9 miliardë lekësh, ose afërsisht 59 milionë euro.
Prokuroria pretendon se një pjesë e këtyre fondeve janë orientuar drejt biznesmenëve të teknologjisë Ermal Beqiraj dhe Ergys Agasi, të cilët akuzohen për manipulim të procedurave të tenderimit.
Agasi u arrestua më 27 gusht, pasi kishte qenë në kërkim për disa muaj. Ndërsa Beqiraj u arrestua më herët në Francë, më 24 korrik, pasi dyshohet se kishte kaluar me një avion të vogël në hapësirë ajrore të kufizuar mbi një central bërthamor.
Karçanaj, Delibashi dhe Agasi i kanë mohuar akuzat, kurse Beqiraj vijon të mbahet në Francë.
Sipas SPAK, Beqiraj dyshohet se ka transferuar një pjesë të të ardhurave të paligjshme drejt Francës, ku më pas ka përdorur paratë për blerjen e një kështjelle, dy apartamenteve dhe automjeteve, si dhe ka depozituar mbi 2 milionë euro në llogari bankare.
Hyseni, në krye të SHISH prej vitit 2023
Vlora Hyseni është në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit prej vitit 2023, pasi më parë kishte shërbyer për rreth dy vite si këshilltare e kryeministrit Edi Rama për sigurinë kombëtare.
Më herët, Hyseni ka qenë zëvendësdrejtoreshë e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës (KIA), por u shkarkua nga kjo detyrë në qershor 2021 nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti.
Emërimi i saj në krye të SHISH në vitin 2023 ishte shoqëruar me debate, ndër të tjera për shkak të shtetësisë së saj kosovare dhe mungesës së qartësisë publike lidhur me arsyet e largimit të saj nga institucioni i inteligjencës së Kosovës.
Përfshirja e pretenduar e zyrtarëve të lartë të sigurisë në hetimin për AKSHI-n ka shkaktuar reagime të forta në Shqipëri.
Ndërkohë, opozita i ka kërkuar Presidentit Bajram Begaj të thërrasë një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Nga ana tjetër, deputetë të Partisë Socialiste kanë kërkuar që çështja të trajtohet me kujdes dhe të pritet përfundimi i procesit gjyqësor.
“Duhet të presim vendimin përfundimtar të drejtësisë. Asgjë nuk është e vërtetë pa u provuar në gjykatë”, deklaroi deputeti socialist Blendi Çuçi gjatë një mbledhjeje të Komisionit Parlamentar për Sigurinë dhe Mbrojtjen, pasi deputetët e opozitës kërkuan që çështja të përfshihej me urgjencë në diskutimet parlamentare.













