Në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë janë përcjellë disa videomesazhe dhe fjale mbështetëse nga figura ndërkombëtare të politikës dhe organizatave konservatore, të cilat kanë vlerësuar procesin e ripërtëritjes së partisë dhe orientimin e saj euroatlantik.
Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenković, uroi zhvillimin e suksesshëm të Kuvendit dhe shprehu mbështetje për Partinë Demokratike dhe kryetarin e saj Sali Berisha.
Ai theksoi se gjatë një takimi të mëparshëm në kuadër të Forumit të IDU-së në Zagreb kishte diskutuar me Berishën mbi aktivitetet dhe reformimin e partisë, duke nënvizuar se palët ndajnë një “orientim të qëndrueshëm pro-europian”.
“Të dashur miq,
U uroj të gjithë anëtarëve të Partisë Demokratike të Shqipërisë një kuvend sa më të suksesshëm.
Isha shumë i kënaqur që prita zotin Sali Berisha, mikun tim prej shumë vitesh, në Kroaci gjatë Forumit të IDU-së këtu në Zagreb, disa javë më parë.
Patëm një bisedë të gjerë mbi aktivitetet dhe reformimin e partisë.
Ne ndajmë të njëjtin orientim të qëndrueshëm pro-europian dhe dëshiroj t’ju jap mbështetjen e fortë të Bashkimit Demokratik Kroat për një kuvend të suksesshëm të partisë dhe për suksese të mëtejshme elektorale.
Të gjitha të mirat nga Zagrebi.”
Edhe presidenti i Unionit Ndërkombëtar Demokrat (IDU), Stephen Harper, i ka drejtuar një mesazh Kuvendit të Ripërtëritjes së PD-së, duke e cilësuar atë një moment me rëndësi për demokracinë në Shqipëri dhe rajon.
Ai vlerësoi procesin e reformimit të partisë si një hap drejt forcimit institucional dhe rritjes së besimit publik, duke theksuar se një opozitë e fortë është thelbësore për funksionimin e demokracisë.
Sipas tij, Partia Demokratike mbetet pjesë e rëndësishme e familjes së partive të qendrës së djathtë dhe gëzon mbështetjen e IDU-së dhe partive anëtare të saj.
“I dashur Kryetar Berisha, anëtarë dhe miq të Partisë Demokratike,
Në emër të Unionit Ndërkombëtar Demokratik (IDU), kam kënaqësinë e veçantë t’ju përcjell përshëndetjet tona më të ngrohta secilit prej jush të mbledhur në Asamblenë e Ripërtëritjes së Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Ky është një moment me rëndësi të vërtetë, jo vetëm për partinë tuaj, por edhe për qeverisjen demokratike në të gjithë Shqipërinë dhe rajonin më gjerë.
IDU u themelua mbi bindjen se popujt e lirë, të qeverisur nga institucione të përgjegjshme dhe parti demokratike dinamike, ndërtojnë shoqëri më të drejta dhe më të begata. Për katër dekada, IDU ka bashkuar partitë e qendrës së djathtë në mbarë botën në mbrojtje të lirisë individuale, shtetit të së drejtës dhe qeverisjes së përgjegjshme.
Partia Demokratike e Shqipërisë është një shtyllë e kahershme e kësaj familjeje dhe sot ne qëndrojmë fort në krahun tuaj.
Vendimi për të mbledhur këtë Asamble të Ripërtëritjes pasqyron si guximin, ashtu edhe mençurinë. Partitë e forta demokratike nuk qëndrojnë në vend; ato dëgjojnë qytetarët, rivlerësojnë strukturat e tyre dhe qartësojnë vizionin për t’iu përgjigjur sfidave të kohës.
Puna që po ndërmerrni sot për të reformuar dhe modernizuar arkitekturën tuaj organizative, për të zgjeruar pjesëmarrjen e anëtarëve dhe për të paraqitur një platformë politike të rinovuar, është pikërisht lloji i ripërtëritjes institucionale që mban gjallë vitalitetin politik dhe besimin publik.
Ne përgëzojmë lidershipin dhe anëtarësinë tuaj për përqafimin e këtij procesi me seriozitet dhe vendosmëri.
Një opozitë energjike dhe e besueshme është ndër asetet më të domosdoshme të demokracisë. Kur qeveria vepron pa transparencë të mjaftueshme, kur fondet publike administrohen pa kontrollin e duhur dhe kur të drejtat e qytetarëve rrezikojnë t’u nënshtrohen interesave të të pushtetshmëve, opozitës i takon të flasë qartë, të veprojë me vendosmëri dhe t’u ofrojë qytetarëve shqiptarë një alternativë bindëse.
Partia Demokratike e përmbush me krenari këtë rol.
Nismat tuaja në Parlament, lidhjet me komunitetet në të gjithë vendin dhe jashtë tij, si dhe angazhimi juaj ndaj vlerave europiane, ju japin si statusin ashtu edhe përgjegjësinë për ta mbajtur qeverinë në standardet më të larta të llogaridhënies demokratike.
Platforma që paraqisni sot do të jetë gurthemeli i këtij përpjekjeje.
Një program i mbështetur te konkurrueshmëria ekonomike, avancimi i integrimit euro-atlantik të Shqipërisë, forcimi i institucioneve të pavarura dhe një angazhim i vërtetë ndaj shtetit të së drejtës, do të gjejë jehonë te qytetarët që aspirojnë një të ardhme të denjë për potencialin e tyre.
IDU dhe partitë anëtare të saj në mbarë botën do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetjen, solidaritetin dhe bashkëpunimin e tyre të plotë. Ju nuk jeni vetëm në këtë përpjekje. Familja demokratike qëndron pranë jush.
Ju uroj çdo sukses në diskutimet dhe vendimmarrjet tuaja sot dhe e shoh të ardhmen demokratike të Shqipërisë me optimizëm dhe besim.”
Në një tjetër mesazh, ish-kongresmeni republikan amerikan Bob McEwen solli kujtime nga vizita e tij në Shqipëri në fillim të viteve ’90, duke folur për rrëzimin e sistemit komunist dhe transformimet politike të vendit.
Ai vlerësoi rolin e Partisë Demokratike në proceset e tranzicionit dhe integrimit euroatlantik të Shqipërisë, përfshirë anëtarësimin në NATO, si dhe shprehu mbështetje për vlerat e lirisë, demokracisë dhe ekonomisë së tregut.
McEwen deklaroi se partnerët ndërkombëtarë konservatorë qëndrojnë pranë PD-së në këtë “përpjekje për liri dhe zhvillim”.
“Shumë faleminderit. Është privilegj që të ndodhem sot këtu me ju. Vij nga Shtetet e Bashkuara dhe ju përcjell përgëzimet e shumë miqve tuaj, përfshirë edhe kolegët në Kongres. Kryetari i koalicionit të Shqipërisë mendon për ju vazhdimisht dhe rregullisht, sepse marrëdhënia që ka krijuar Shqipëria për kauzën e së drejtës është e përhapur kudo në botë. Restoranti im i preferuar shpronësohet nga një shqiptar.
E gjithë bota është e bekuar nga shqiptarët. Por ç’është më e rëndësishmja, kam qenë i privilegjuar të jem në Tiranë në shkurt të vitit 1991, kur njerëzit vendosën të zëvendësojnë monumentin e një diktatori. Populli i madh shqiptar kishte jetuar nën çizmen shtypëse të socializmit për një kohë kaq të gjatë sa nuk mund të ecte përpara. Kur e rrëzuan monumentin, bazamenti i tij u shkërmoq.
Unë mora një prej kësaj cope mermeri, e çova në shtëpi në Kongresin e Shteteve të Bashkuara dhe e vendosa mbi tavolinë. Dhe shumë shpesh njerëzit më pyesnin: çfarë e ke këtë mbi tavolinë? Dhe unë shpjegoja se kjo tregon se kur një vend ka qenë nën çizmen e tiranisë, të totalitarizmit, lufton për liri, dhe kombi shqiptar i sotëm i ka hedhur bazat e veta pikërisht atëherë.
Ishte një koalicion i përbërë prej drejtuesve konservatorë, nën drejtimin e Partisë Demokratike, nën drejtimin e Sali Berishës, që e çoi Shqipërinë në NATO. Dhe e gjithë bota e sheh Shqipërinë si një mike dhe si një aleate. Vendet e tjera të Evropës vazhduan të ndiqnin shembullin e Shqipërisë dhe të lidershipit të vetë konservator.
Përsa u përket kushteve, duhet ta pranoj se jam më i madh në moshë se shumë prej jush, dhe ky vend ka pasur gjithnjë nevojë për Partinë Demokratike. Në vitet ’80 kishte nevojë për Partinë Demokratike. Kjo parti, ky koalicion dhe drejtuesi i kësaj partie e mori këtë komb si një tren që kishte dalë nga binarët dhe e ktheu në binarë, dhe Shqipëria filloi të ecte përpara.
Dhe në ditët e mëtejshme, unë dua t’ju lë me një koment: se Moisiu, tek Shkrimet e Shenjta, tha se kur krijon dhe kërkon një drejtim brenda një vendi, kërkon tre gjëra. Së pari, duhet t’i kenë frikë Zotit. Ka një konkurrencë ndërmjet atyre që mendojnë se janë vetë Zoti dhe atyre që e pranojnë se ne duhet të kthejmë drejtimin nga Zoti. Dhe kur kërkon Zotin, ti ndërton një familje, ndërton një komb.
Së dyti, Zoti i tha Moisiut: ti do që njerëzit të jenë pjesë e drejtimit dhe të mos kenë frikë nga e vërteta, ose ndryshe nga ndershmëria. Dhe asgjë nuk e shkatërron një komb si korrupsioni. Ti ke nevojë për persona të cilët janë në poste drejtuese dhe janë të ndershëm, dhe pikërisht këtë i ka ofruar këtij kombi kjo parti.
Dhe më pas vazhdon: do njerëz në pozicione zyrtare dhe ata të mos duan t’ju grabisin të tjerëve. Dhe ka dy mënyra për ta arritur këtë: së pari, nëpërmjet lirisë, ku ti krijon pasuri, kur ti i jep mundësinë që të hapësh biznese dhe bekon popullin; kurse në socializëm, ti përdor pushtetin për t’u marrë njerëzve, dhe kur i merr atij personi, ai zvogëlohet.
Dhe pikërisht kjo është lufta që ne në Amerikë, kudo në botë, vazhdojmë të përballemi me këtë konkurrencë. Kemi nevojë për persona të cilët janë të angazhuar për lirinë, për krijimin e pasurisë, jo për shfrytëzimin e pushtetit të shtetit për t’jua marrë atyre që e krijojnë atë. Prandaj pikërisht këtë ka bërë kjo parti për shumë vite. Pikërisht këtë ka bërë edhe kryetari i kësaj partie për shumë vite.
Dhe prandaj, ndër plot vende që mund të vizitoja dhe plot popuj që mund të shikoja, nuk ka një popull tjetër për të cilin unë të ndihem më tepër krenar sesa pikërisht ky popull. Ne qëndrojmë pranë jush në të gjithë këtë përpjekje dhe si një popull konservator dhe si popull që e duam lirinë, ne do t’ju mbështesim. Ashtu sikurse e tha edhe Sali Berisha, ne e rrëzuam tiraninë më përpara, do ta rrëzojmë përsëri.
Zoti ju bekoftë!”
Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Popullore Europiane (PPE), Dolors Montserrat, në një mesazh drejtuar Kuvendit të Partisë Demokratike, ka shprehur mbështetje për procesin e reformimit dhe objektivat politike të PD-së.
Ajo u shpreh se është një nder të marrë pjesë në këtë moment të rëndësishëm për partinë dhe se, ndonëse ndodhej në Shqipëri gjatë javës për takime me drejtues të PD-së dhe Sali Berisha, ishte e detyruar të largohej për angazhime të tjera. Montserrat theksoi rëndësinë e kongresit, duke e cilësuar atë si një hap drejt modernizimit dhe forcimit të partisë.
Sipas saj, Partia Demokratike synon të forcohet për të fituar zgjedhjet e ardhshme dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve te institucionet dhe shteti. Ajo vuri theksin tek nevoja për luftë kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe korrupsionit, si dhe për përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në mesazhin e saj, Montserrat rikonfirmoi mbështetjen e plotë të PPE-së për PD-në, duke theksuar se familja e qendrës së djathtë europiane qëndron pranë saj në këtë fazë të re politike. Ajo përgëzoi lidershipin e PD-së për organizimin e kongresit dhe u shpreh se partia ka mbështetjen e plotë për të rikthyer në qeverisje parimet e lirisë, shtetit të së drejtës dhe prosperitetit në Shqipëri.











