Pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit për kërkesën e SPAK ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, doli përpara mediave duke akuzuar mazhorancën se po zvarrit qëllimisht procesin.
Bardhi deklaroi se Partia Socialiste po përdor procedurat për t’i dhënë kohë Ballukut të ndërhyjë në prova dhe dëshmitarë, duke e cilësuar shtyrjen e mbledhjes për në janar si një veprim të paprecedentë dhe në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit.
Ai theksoi se opozita do të thërrasë mbledhjen e radhës të hënën ose të martën e javës që vjen, për të shmangur çdo vonesë në shqyrtimin e kërkesës së SPAK.
“Sipas rregullores ka 2 forma se si mblidhet këshilli. Një, e thërret kryetar i kuvendit. E dyta, 1 e dyta e anëtarëve të këshillit. 5 anëtarët e opozitës në këshill do thërrasin mbledhjen e këshillit të hënën, maksimumi të martën e fillim javës që vjen, për të mos krijuar asnjë vonesë. Për ti dhënë kohë të pandehurës të vijë të mbrojë veten, nëse nuk do ne nuk e detyrojmë dot.
Nuk ka ndodhur që këshilli mandateve të mbyllet pa caktuar një datë tjetër. Gjithmonë koha ka qenë minimumi 48 orë, maksimumi 72 orë. Ne vlerësuam se 72 orë ishin mjaftueshëm, Balluku kishte kohë për tu mbrojtur. Këshilli ka marrë vendimin që do ti shpërndahet provat cilitdo deputet që është anëtar. Tre orët e para të mbledhjes kolegët e mazhorancës ishin me qëndrimin se nuk kemi pse i marrim provat. Kur SPAK konfirmoi se nuk ka asnjë problem, e di çfarë bënë, thanë janë shumë faqe na duhen 1 muaj kohë ti shqyrtojmë. Kjo është tallje me këtë proces, kanë vendosur të mbrojnë një të pandehur, kanë vendosur ti japin kohë asaj dhe Ramës për të prishur provat.
72 orë i kemi lënë Ahmetaj, deputetëve të opozitës të akuzuar, kjo ka qenë koha. S’ka pasur pretendim nga askush. Nuk mund të ketë Balluku më shumë të drejta se të tjerët që janë ulur në të njëjtën karrige para saj. Ahmetaj ka pasur 15 mijë faqe dhe i është lënë vetëm 48 orë kohë. SPAK këmbëngul se kjo kërkesë është e ngushtme, SPAK thotë se po intimdon vartësit.
Tani ajo do marrë dëshmitë e çdo personi dhe ne do i japim 1 muaj derisa t’i intimidojë të gjithë? SPAK tha se tre ditë kohë janë të mjaftueshme, maksimumi 5 ditë. Me afatet që kanë vendosur, kjo çështje i bie që të shqyrtohet në shkurt, deri në shkurt Balluku ka ngrenë bakllavanë, provat dhe dëshmitarët. Kjo është e paprecedentë”, tha Bardhi.











