Federica Mogherini, rektore e Kolegjit të Evropës, u ndalua nga policia belge pas një bastisje që u bë në selinë e Shërbimit Europian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) në Bruksel, në Kolegjin e Evropës në Bruges, në kuadër të një hetimi për keqpërdorim të mundshëm të fondeve të Bashkimit Europian.
Sipas Euractiv, hetimi penal është hapur pas akuzave se EEAS dhe Kolegji i Evropës, ky i fundit institucion përgjegjës për përgatitjen e diplomatëve të rinj, kanë abuzuar me fondet e Bashkimti Evropian në vitet 2021-2022.
Kolegji i Evropës u hap edhe në Shqipëri në vitin 2023. Gjatë Samitit të Berlinit të mbajtur në Tiranë, Rama dhe mikja e tij, Federica Mogherini, inauguruan hapjen e Kolegjit të Evropës në Tiranë. Madje, kryeministri i dhuroi edhe Godinën “Iliria” në Qytet Student, godinë që përdorej nga studentët e Universitetit të Tiranës.
Hetuesit po hetojnë nëse Kolegji i Evropës ose persona të lidhur me të kanë pasur akses të parakohshëm në informacion mbi një tender publik të EEAS-it, i cili financoi Akademinë e re Diplomatike të BE-së në Bruges.
Sipas burimeve, në qendër të hetimit është blerja nga kolegji, në vitin 2022, e një ndërtese me vlerë 3.2 milionë euro, e përdorur për të akomoduar pjesëmarrësit e akademisë. Kjo blerje është kryer në një periudhë kur institucioni përballej me probleme financiare dhe pak kohë përpara se EEAS të hapte një tender nga i cili kolegji përfitoi më vonë 654 mijë euro.
Dyshohet se persona brenda institucionit mund të kenë pasur informacione të brendshme të cilat do të duhej të ishin të fshehta për të garantuar konkurrencë të barabartë mes aplikantëve për pritjen e akademisë.












